Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dua Lipa ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “Porsche”

Ylli botëror i muzikës pop, Dua Lipa, e ka fituar një shumë marramendëse të të hollave nga marrëveshja e saj e re me kompaninë e njohur të veturave luksoze, “Porsche”.

Këngëtarja 27-vjeçare me prejardhje kosovare, në të kaluarën ka bashkëpunuar me prodhuesin e makinave luksoze “Jaguar”, por tani thuhet se ka nënshkruar një marrëveshje shtatë-shifrore me kompaninë rivale “Porsche”, në atë që është quajtur kontrata e saj më e madhe deri më tani, që ia lejon kompanisë në fjalë ta përdorë emrin dhe famën e saj për të promovuar produktet e tyre.

“Aktualisht, Dua është një nga fytyrat më të kërkuara për reklama në industrinë e muzikës, dhe padyshim një yll global. Ajo ka një fuqi të madhe dhe i tërheqë me lehtësi markat e mëdha botërore për bashkëpunim, prandaj ‘Porsche’ i ofroi asaj një kontratë me një shumë të majme të hollash që nuk mund ta refuzonte. Dua filloi të punojë me kompaninë ‘Jaguar’ në vitin 2018 dhe ky bashkëpunim i ka sjell asaj shumë përfitime financiare”, deklaroi një burim i afërt i këngëtares për gazetën “The Sun”.

Krijuesja e hitit “Levitating”, e cila besohet se e posedon një pasuri prej 75 milionë funtesh, mezi pret ta fillojë bashkëpunimin me markën luksoze të veturave.

Lipa e cila së fundmi po e ndërton një karrierë edhe në film, gjithashtu ka kontratë bashkëpunimi me markat e njohura kozmetike si, “Mac” dhe “Yves Saint Laurent”.

Përgatiti: Edona Binaku