Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dua dhe Donatella e lansuan koleksionin “La Vacanza” në Cannes

Ndërsa dielli perëndoi mbi Mesdhe të martën mbrëma, Donatella Versace dhe Dua Lipa prezantuan koleksionin e tyre veror, “La Vacanza”.

Koleksioni u prezantua me një sfilatë të bukur dhe unike përpara rezidencës Chateau de la Croix des Gares, duke ofruar pamje mbi qytetin e Cannes dhe Ishujt Lérins.

I bashkëdizajnuar nga Donatella dhe Dua, koleksioni tashmë ka dalë në shitje nëpër dyqanet e Varsaces si dhe në dyqanet online.

Në mesin e mysafirëve të ftuar për ta ndjekur sfilatën elegante ishin edhe disa personalitete të njohura si, ylli i basketbollit Dwyane Wade, kampioni i Formula One, Lewis Hamilton, aktorja Simone Ashley, ylli britanik i filmave aksion, Jason Statham dhe bashkëshortja e tij Rosie Huntington-Whiteley, këngëtarja Rina Sawayama, dhe disa yje tjerë të muzikës K-Pop.

Mbretëresha e modës dhe supeylli i muzikës ishin kujdesur që çdo detaje i shout të jetë i përkryer, duke sjell në pistë modelen një nga një të veshura dhe kuruara me shumë stil. Koleksioni “La Vacanza” përfshinë veshje për ditën dhe natën, rroba banje, çanta, veshmbathje dhe aksesorë të ndryshëm. Ngjyrat që e dominojnë koleksionin janë e zeza, e kaltra, ngjyra rozë, e bardhë, portokalli, por nuk mungojnë as ngjyrat metalike.

“Dua Lipa është jashtëzakonisht e talentuar kështu që unë u tërhoqa menjëherë nga ideja për të punuar me të”, shpjegoi Donatella në një konferencë për media para shfaqjes së koleksionit.

“Ne kemi një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi dhe shoqërie. Nga fillimi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Brit’ e deri tek ajo ‘Grammy’. Me kalimin e kohës kemi punuar në shumë projekte së bashku”, u përgjigj Dua.

Edhe Dua Lipa dhe Donatella Versace krijojnë koleksion të përbashkët Showbiz Dua Lipa dhe Donatella Versace krijojnë koleksion të përbashkët

“Kjo histori ka qenë krejtësisht magjepsëse për mua, veçanërisht pasi Donatella ka vlera të pabesueshme që rezonojnë me mua. Krijimi i modës është shumë ndryshme nga puna në muzikë. Ndjej sikur energjia e shtëpisë së modës ‘Versace’ më ka frymëzuar. Unë me të vërtetë nuk mund të vizatoj fare, por mësova ta kuptoj gjuhën e dizajnit dhe të krijoj ide. Vlera thelbësore e ‘Versace’ është familja, sepse është një familje e vërtetë”, vazhdoi tutje këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, e cila në konferencë kishte veshur xhinse dhe një xhaketë bolero të zezë.

Me një qëndrim shumë miqësor, Donatella duke buzëqeshur tha: “Kemi bërë shumë punë, por të dëgjoja këtë zë afër meje ishte e mrekullueshme. Dua është gruaja e sotme, e sigurt dhe e fortë. Doja që koleksioni të kishte të bënte me atë që po ndodh sot nëpër botë. Për mua kjo ka të bëjë me argëtimin, lirinë dhe begatinë”.

Veshje festash, ngjyra verore, argëtuese por edhe vërtet të guximshme. Kështu e përshkroi në fund koleksionin Lipa, e cila dukej jashtëzakonisht e entuziazmuar që publiku më në fund do të ketë rastin ta vlerësojë e shijojë punën e madhe dhe me shumë dashuri, që ajo dhe Donatella e kanë bërë në “La Vacanza”.