Vitin e kaluar, Depp humbi procesin gjyqësor ndaj gazetës britanike “The Sun”, e cila e akuzoi për dhunë familjare. Gjykatësi i rastit kishte deklaruar se akuzat ishin pjesërisht korrekte. Në muajin mars, një gjykatë tjetër britanike ia refuzoi kërkesën aktorit që të apelonte rastin se sulmoi ish-bashkëshorten Amber Heard, me arsyetimin se tentimet e tij për të kthyer vendimin në favor të tij “nuk kishin shanse reale për sukses”
Duke u ngjitur në skenën e festivalit prestigjioz të Spanjës për të pranuar çmimin kryesor, aktori Johnny Depp e prezantoi veten si viktimë të “Cancel-Culture”, që, sipas tij, është përhapur në krejt industrinë kinematografike.
Depp u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në “San Sebastian International Film Festival” për humbjen e favorizimit nga Hollywoodi për rolet e reja qëkur ish-bashkëshortja, aktorja Amber Heard, publikisht e akuzoi për dhunë. Gjykata britanike gjatë vitit të kaluar mori vendim se akuzat ishin “kryesisht korrekte”.
“Është situatë komplekse, kjo “Cancel-Culture’, ose ky nxitim i menjëhershëm për të gjykuar bazuar në atë që tubohet në ajrin e ndotur”, është përgjigjur aktori 58-vjeçar.
“Ka dalë duarsh aq shumë sa ju siguroj, askush nuk është i sigurt. Asnjëri prej jush, për aq gjatë sa dikush dëshiron të thotë një gjë”, ka shtuar aktori amerikan.
Gratë e botës filmike dhe grupe të tjera kanë kritikuar vendimin e organizatorit të festivalit që ta nderojë aktorin Depp me çmimin “Donostia”, nderi më i madh që mund të ofrojë festivali spanjoll. Artistët kanë thënë se nderimi i aktorit do të zbehë imazhin e ceremonisë dhe do të përçojë mesazhin e gabuar për viktimat e dhunës gjinore.
Vitin e kaluar, Depp humbi procesin gjyqësor ndaj gazetës britanike “The Sun”, e cila e akuzoi për dhunë familjare. Gjykatësi i rastit kishte deklaruar se akuzat ishin pjesërisht korrekte. Në muajin mars, një gjykatë tjetër britanike ia refuzoi kërkesën aktorit që të apelonte rastin se sulmoi ish-bashkëshorten, Amber Heard, me arsyetimin se tentimet e tij për të kthyer vendimin në favor të tij “nuk kishin shanse reale për sukses”.
Depp gjithashtu ka paditur Heardin me 50 milionë dollarë në lidhje me vështrimin që publikoi në “Washington Post” në lidhje me dhunën familjare. Gjykimi për këtë rast është shtyrë deri në prillin e vitit 2022.
Asociacioni i Krijueseve në Spanjë dhe Audivisual Media, që kanë lidhje me festivalin, kanë thënë se çmimet nuk duhet të ofrohen në bazë të arritjeve profesionale dhe artistike.
“Cili është mesazhi që mbetet kur burrat e dënuar për dhunë seksuale duartrokiten, fotografohen në tepihun e kuq, të rrethuar nga fansat?”, ka thënë asociacioni i njohur si “CIMA”.
Aktori, i cili luajti rolin e të famshmit Jack Sparrow në “Piratët e Karaibeve” dhe në filmat e tjerë, si “Edward Scissorhands” dhe “Speepy Hollow”, ka folur me gazetarët para ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Situata është përkeqësuar ani pse kërkesa e festivalit ishte që pyetjet të bëheshin vetëm për karrierën e Deppit. Në konferencën për media, udhëheqësi bllokoi pyetjen për kritikat e CIMA-s.
“Duhet vetëm një fjali, pastaj më nuk ka arsye, tepihu paloset”, ka thënë Depp pa përmendur Heardin dhe rastet gjyqësore.
“Nuk jam vetëm unë që më ka ndodhur. U ka ndodhur plot të tjerëve: gra, burra, fëmijë, që kanë pësuar nga këto lloje të pakënaqësisë që në një pikë fillojnë të duken normale: Nuk janë normale”, ka thënë ai.
I pyetur për qëndrimet e tij rreth shëndetit të industrisë filmike, sidomos asaj amerikane, ka thënë se “Hollywodi natyrisht nuk është siç ishte dikur”.