Fituesi i dy çmimeve prestigjioze “Oscar” dhe ylli i filmit të ri “Highest 2 Lowest”, Denzel Washington, ka folur hapur për fenomenin e kulturës së ashtuquajtur “anulimi”, duke theksuar se nuk shqetësohet aspak nga humbja e mbështetjes publike, ka raportuar The Hollywood Reporter.
I ftuar bashkë me regjisorin Spike Lee në një intervistë për Complex News, aktori 69-vjeçar u pyet nëse ka frikë se mos “anulohet”.
VIDEO:
“Çfarë do të thotë të të anulojnë?” - u përgjigj ai me pyetje.
Kur gazetarja Jillian Hardeman-Webb shpjegoi se “kjo nënkupton të humbësh mbështetjen publike”.
“Kujt i intereson? Më së pari, kush e ka bërë të rëndësishme këtë?” - ka pyetur Washington.
Duke iu përgjigjur idesë se sot “ndjekësit janë para”, Washington ka thënë se nuk i intereson për ndjekësit në rrjete sociale.
“Unë nuk kujdesem kush kë ndjek. Nuk mund të jesh njëkohësisht lider dhe ndjekës. Unë nuk ndjek askënd. Unë ndjek frymën hyjnore. Unë ndjek Zotin, jo njeriun. Kam besim te Zoti dhe shpresë tek njeriu, por nëse shikon përreth, nuk po shkon edhe aq mirë. Nuk mund të të ‘anulojnë’ nëse nuk je regjistruar. Mos u regjistro. Mos më bëni të filloj, edhe gjoksi filloi të më shtrëngohet duke folur për këtë”, ka thënë aktori.
Deklaratat e tij vijnë pak ditë pasi Washington ka thënë se nuk është “shumë i interesuar për Oscarët”.
“Nuk e bëj këtë për Oscar. Nuk më intereson. Ka raste kur fitova e nuk duhej të fitoja, dhe raste kur duhej të fitoja e nuk fitova. Njeriu jep çmimin, Zoti jep shpërblimin. Më pyesin ku i mbaj? Aty ku e kam edhe tjetrin. Nuk po mburrem, thjesht po them se si ndihem. Ditën e fundit, ‘Oscarët’ nuk do të vlejnë fare”, ka thënë ai në një intervistë në Jace’s Take.
Fenomeni që quhet “cancellation” ose “cancel culture” (kultura e anulimit), në praktikë, ndodh kur një person publik, aktor, këngëtar, politikan, influencer, kritikohet masivisht -kryesisht në rrjete sociale - për një sjellje, deklaratë, apo qëndrim që shihet si i papranueshëm. Si pasojë, publiku shpesh i bojkoton, humbin projekte ose marrëveshje, e madje shndërrohen në figura të përfolura negativisht.
Kultura e anulimit është një formë presioni social që synon t’i mbajë personazhet publike “përgjegjëse” për fjalët dhe veprimet e tyre. Mirëpo, shumë aktorë dhe artistë si Denzel Washington thonë se nuk duhet të jetosh me frikën se mos thua diçka “të gabuar” dhe për këtë arsye e injorojnë idenë e “anulimit”.
Filmi i ri “Highest 2 Lowest”, bashkëpunimi i pestë i Washington me Spike Lee dhe i pari pas gati 20 vjetësh, është realizuar nga kompanitë “A24” dhe “Apple”. Washington luan rolin e një moguli të muzikës që bëhet shënjestër e një plani rrëmbimi.
Washington ka fituar dy herë çmimin “Oscar”, një për rolin dytësor në filmin “Glory” në vitin 1989 dhe një si aktor kryesor në filmin “Training Day” në vitin 2001.