Aktori legjendar Denzel Washington është përballur me një moment të tensionuar gjatë Festivalit të Filmit në Cannes, kur u përfshi në një debat me një fotograf në tepihun e kuq, përpara premierës së filmit të tij më të ri “Highest 2 Lowest”.
70-vjeçari, i njohur për rolet ikonike në filma si “Training Day”, ishte duke pozuar krah kolegut të filmit, artistit A$AP Rocky, kur një fotograf, i cili po buzëqeshte dhe qeshte gjatë ndërveprimit, e preku në krah. Denzel u duk qartë i irrituar dhe reagoi menjëherë, ka raportuar FemaleFirst.
Sipas pamjeve dhe dëshmitarëve, fotografi e preku sërish në krah, gjë që bëri që aktori të largonte dorën e tij me forcë dhe të bërtiste: “Ndalu! Ndalu!”, duke i treguar gishtin drejtpërdrejt në fytyrë fotografit, përpara se të largohej i zemëruar nga skena.
Megjithatë, mbrëmja mori kthesë pozitive për aktorin e madh. Pasi kishte fluturuar nga New Yorku drejt Francës vetëm për këtë ngjarje, ai u befasua nga regjisori Spike Lee me Palmë të artë nderi.
“Kjo është një befasi e plotë për mua, jam shumë i emocionuar. Është një mundësi e jashtëzakonshme të bashkëpunoj sërish me vëllain tim, vëlla nga një nënë tjetër, dhe të jem përsëri këtu në Cannes. Jemi një grup shumë i privilegjuar që kemi mundësinë të bëjmë filma, të veshim dhe rroba të bukura, të dukemi mirë dhe të paguhemi për këtë. Jemi të bekuar përtej çdo mase. Jam thellësisht mirënjohës nga zemra”, u shpreh Washington i emocionuar.
Filmi “Highest 2 Lowest” shënon bashkëpunimin e pestë mes Denzel Washington dhe Spike Lee, pas suksesit të tyre të fundit të përbashkët me filmin “Inside Man” në vitin 2006. Premiera në Cannes u prit me shumë duartrokitje, dhe pavarësisht incidentit me fotografin, nata përfundoi shkëlqyeshëm.
“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme”, ka thënë përfaqësuesi i aktorit për revistën “People”.
VIDEO: