Albumi i shtatë i incizuar në studio i këngëtares Beyonce, “Renaissance”, e ka kryesuar toplistën e 200 albumeve më të mira “Billboard” në Amerikë, duke e vazhduar traditën e këngëtares me albumet që debutojnë në vendin e parë të toplistave muzikore.
Shtatë albumet e Beyonces kanë arritur ta shënojnë të njëjtin sukses, ani pse lansimi i “Renaissance” është i veçantë për faktin se tashmë është bërë incizimi me debutimin më të mirë në secilin treg të madh të muzikës.
Në javën e parë të lansimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Renaissance” arriti t’i shes 332 mijë kopje. Sipas raportimeve të portalit “Billboard”, kjo e bënë atë albumin më të suksesshëm të vitit nga një solo artiste, duke e tejkaluar dukshëm Lizzon, e cila e mbante këtë rekord me 69 mijë kopje të shitura në javën e parë të lansimit të albumit, “Special”.
Nuk është befasi që, Beyonce, është bërë gruaja e parë me albumin e pozicionuar në vendin e parë të toplistës “Billboard 200” për vitin 2022. Incizimi i fundit që e shënoi këtë sukses ishte “30” nga Adele, i cili u publikua në nëntor të vitit të kaluar. Është interesant fakti se tri albumet më të suksesshme të vitit, “Renaissance”, “30” dhe “Harry’s House”, janë lansuar përmes kompanisë muzikore “Columbia Records”.
Në lajme të tjera, Beyonce i ka publikuar katër versione remix të këngës, “Break My Soul”, përfshirë këtu versionin e fundit të sjell në bashkëpunim me yllin e popit, Madonna.