Showbiz

Beyonce e publikoi këngën e re “Break My Soul”

Tri orë para kohës së paralajmëruar të lansimit të këngës së saj të re, Beyonce i befasoi fansat duke e publikuar këngën e re “Break My Soul”, e cila është pjesë e albumit të saj të shtatë të incizuar në studio, “Renaissance”. Dhe kënga është gjithçka që fansat kishin pritur nga idhulli i tyre, një projekt muzikor ritmik dhe tekst kuptimplotë.

Në mesin e personave që kanë kontribuar në tekstin e kësaj kënge janë Jay-Z, Adam Pigott, Quavo, Megan Thee Stallion dhe të tjerë.

Duke i anashkaluar platformat muzikore si Spotify dhe Apple Music, “Break My Soul” tri orë para kohës së paralajmëruar të lansimit u publikua në platformën Tidal, e cila është pronë e këngëtares dhe bashkëshortit të saj, Jay-Z, ndërsa një orë më vonë u postua edhe në YouTube.

Beyonce njihet për lansimin e projekteve muzikore befasuese. Në vitin 2016 ajo e publikoi një album të tërë, “Lemonade”, i cili ishte në dispozicionin e publikut për tri vjet vetëm përmes platformës Tidal, veprim ky i cili i kushtoi këngëtares fitime në vlerë prej miliona dollarësh.

Javën e kaluar, diva amerikane e muzikës e bëri të ditur lajmin se albumi i saj i shumëpritur do të lansohet më 29 korrik. Burime të afërta me këngëtaren kanë bërë të ditur për revistën “Variety” se ky incizim do t përfshijë këngë të zhanrit ‘dance’ dhe ‘country’. Një prej bashkëpunëtorëve të Beyonces në album është, Ryan Tedder, i cili e ka bashkëshkruar hitin e saj të vitit 2008, “Halo”, si dhe ka shkruar këngë për yje të ndryshëm të muzikës si, Adele, Taylor Swift, “Jonas Brothers” dhe grupin e tij muzikor, “OneRepublic”. Po ashtu i përfshirë në këtë projekt është, Raphael Saadiq, i cili ka krijuar hite për artistë të tillë si, Mary J. Blige, D’Angelo, Stevie Wonder, John Legend dhe Andra Day.

Nuk është e qartë nëse këngët e zhanrit country do të përfshihen në një album shtesë, apo si pjesë e edicionit të parë të albumit “Renaissance”.

Adhuruesit tashmë kanë informata se albumi do t’i përfshijë 16 këngë. Është më se e qartë se ky është një projekt që do të publikohet në disa pjesë, marrë parasysh faktin se po promovohet me titullin “Akti 1...Renaissance”.

Në fakt, Beyoncé i ka publikuar katër albume që nga projekti jashtëzakonisht i suksesshëm i vitit 2016, “Lemonade”, ani pse nuk ishin projekte solo të këngëtares.

Në vitin 2018 ajo e publikoi albumin “Everything Is Love”, i sjellë në bashkëpunim me bashkëshortin, Jay-Z. Në prill të 2019-s e publikoi projektin, “Homecoming”, një album i krijuar nga performanca e saj ikonike në festivalin “Coachella”. Në të njëjtin vit e lansoi albumin me titull, “The Lion King: The Gift”, i cili ishte projekt shoqërues i filmit të famshëm të studios Disney me të njëjtin emër, i cili i përfshin disa prej këngëve të saj. Dhe një vit më vonë u lansua edhe një edicion special me tri këngë të reja i po të njëjtin album.