Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Danny Masterson mund të dënohet me 30 vjet burgim

Aktori i serialit “That ’70s Show”, Danny Masterson, mund të dënohet me 30 vjet ose burgim të përjetshëm në seancën e së enjtes, për përdhunimin e dy grave para dy dekadave.

Gjykatësja Charlaine F. Olmedo nga Gjykata e Lartë e Los Angelesit pritet t’ia shqiptoj dënimin aktorit 47-vjeçar, kjo pasi dëgjoi deklaratat e viktimave. Po ashtu pritet që ajo ta refuzojë një mocion të avokatëve mbrojtës për një gjyq të ri.

Më 31 maj dhe pas shtatë ditësh diskutime, një juri e përbërë nga shtatë gra dhe pesë burra e shpalli Mastersonin fajtor për dy akuza për përdhunim. Të dy sulmet ndodhën në shtëpinë e Mastersonit në zonën e Hollywoodit në vitin 2003, kur ai ishte në kulmin e famës së tij falë serialit hit të kanalit Fox, “That ’70s Show”.

Prokurorët pretenduan se Masterson përdori ndikimin e tij në Kishën e Scientologjisë, ku të dy gratë ishin gjithashtu anëtare në atë kohë, për të shmangur pasojat për disa dekada pas sulmeve.

Gratë në fjalë e fajësuan Kishën për hezitimin e tyre për ta paraqitur Mastersonin në polici. Ato dëshmuan se kur e raportuan rastin te zyrtarët e Kishës së Scientologjisë, atyre iu tha se nuk ishin përdhunuar dhe u paralajmëruan që të mos shkonin te organet e zbatimit të ligjit për ta raportuar një anëtar me pozitë kaq të lartë.

Pas vendimit të gjykatës, Kisha tha në një deklaratë për media se “dëshmia dhe përshkrimet e besimeve të Scientologjisë gjatë gjyqit ishin plotësisht të rreme”.

Edhe Aktori amerikan dënohet me 30 vjet burgim për përdhunimin e dy grave Showbiz Aktori amerikan dënohet me 30 vjet burgim për përdhunimin e dy grave

Danny Masterson nuk dëshmoi dhe avokatët e tij nuk thirrën asnjë dëshmitar. Mbrojtja argumentoi se aktet ishin konsensuale dhe u përpoqën të diskreditonin historitë e grave duke nënvizuar ndryshimet dhe mospërputhjet me kalimin e kohës, të cilat ata thanë se tregonin shenja të koordinimit mes tyre.

Përgatiti: Edona Binaku