Këngëtarja Ciara ka bërë të ditur se nuk i kushton rëndësi kritikave që i bëhen asaj apo martesës së saj me yllin e ligës së futbollit amerikan, NFL, Russell Wilson.
Artistja 39-vjeçare, e martuar me Russell që nga viti 2016, ka thënë në intervistë për The Breakfast Club, se të gjithë kanë të drejtë të mendojnë çfarë të duan, por askush s’duhet t’iu japë llogari askujt, ka raportuar FemaleFirst.
“Çdokush ka të drejtë për mendimin e vet, por ne nuk kemi pse ta jetojmë jetën për t’i dëshmuar diçka dikujt”, ka thënë ajo.
Sipas saj, nuk ka pse t’i dëshmojë asgjë askujt
“Ndonjëherë njerëzit thjesht e shohin jetën nga perspektiva e tyre. Dhe kjo mund të jetë mënyra e tyre, por për mua, shumë keq për ta nëse duan ta jetojnë jetën dhe ta duan dikë në atë mënyrë. Shumë keq për ta”, ka thënë krijuesja e hitit “Goodies”.
Ciara ka lavdëruar bashkëshortin e saj, duke e cilësuar si një njeri të jashtëzakonshëm.
“Ai është burri më i zgjuar, më inteligjent dhe më i mrekullueshëm afroamerikan që kam njohur ndonjëherë. Ajo që shihni tek ai është me të vërtetë ai që është. Kjo është e bukur, është ndryshe”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se shpesh kritikët nuk e kuptojnë as atë dhe as lidhjen e saj.
“Është si kur dikush thotë se ai person nuk e do dikë, por a e ke dashur ndonjëherë dikë siç duhet? A je dashur ndonjëherë siç duhet? Njerëzit flasin kot nganjëherë sepse thjesht nuk dinë”, ka thënë tutje ylli.
Në intervista të mëhershme, Ciara ka theksuar se komunikimi është çelësi i një martese të lumtur.
“Do të thosha se komunikimi sundon një komb. Ajo që i jap shumë meritë burrit tim është fakti që ai di të komunikojë shumë mirë. Ndoshta kjo lidhet edhe me rolin e tij si sportist, sepse ai e ka shumë të rëndësishëm udhëheqjen, punën ekipore, të qenit bashkë”, ka thënë ajo në Over It Radio.
Ciara ka pranuar se “ndonjëherë jam pak e zjarrtë dhe kokëfortë”, por ka theksuar se gjithmonë ndihet rehat duke biseduar me bashkëshortin.
“Unë ndihem me të vërtetë mirënjohëse për aftësinë tonë për të komunikuar. Sepse ndjej se nuk ka gjë për të cilën nuk mund t’i flas. Edhe nëse duhet të gjejmë rrugën përmes bisedës, unë jam shumë e sigurt se gjithmonë do t’ia dalim”, ka thënë ndër të tjera artistja.