Lajmet të mira për çiftin hollywoodian, Katherine Schwarzenegger dhe Chris Pratt. Autorja dhe aktori i famshëm e kanë mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të dytë së bashku, raportoi të martën portali “BuzzFeed”.
Foshnja është vajzë dhe lajmin e gazuar ata kanë vendosur ta ndajnë menjëherë me fansat përmes rrjeteve sociale.
“Jemi shumë të lumtur t’iu njoftojmë për lindjen e vajzës sonë të dytë, Eloise Christina Schwarzenegger Pratt. Nëna dhe foshnja janë mirë me shëndet. Po ndihemi të bekuar dhe falënderues për gjithçka. Me shumë dashuri, Katherine dhe Chris”.
Ylli i filmave “Guardians of the Galaxy” dhe gruaja e tij, që është vajza e aktorit ikonik të filmave aksion Arnold Schwarzenegger, i kanë mbajtur hollësitë rreth shtatzënisë goxha private, siç veprojnë zakonisht kur bëhet fjalë për familjen e tyre. Por kah fundi i vitit të kaluar, disa burime të afërta me çiftin e patën konfirmuar lajmin për revistën “People”, se Pratt dhe Schwarzenegger janë në pritje të fëmijës së dytë së bashku.
Edhe
Schwarzenegger dëshiron të bëjë film me djalin dhe dhëndrin
Katherine dhe Chris e filluan lidhjen romantike në vitin 2018, ndërsa u martuan një vit më vonë. Përveç foshnjës së porsalindur, çifti e ka edhe një vajzë 21 muajshe të quajtur, Lyla Maria.
Pratt po ashtu e ka djalin, Jack, nga martesa e kaluar me aktoren Anna Faris.
Aktori i famshëm hollywoodian së shpejti vjen me rol të shkurtër në filmin “Thor: Love and Thunder”. Ndërkaq, më 10 qershor të këtij viti nëpër kinematë botërore lansohet filmi shumë i dashur për publikun, “Jurassic World: Dominion”, ku Pratt e luan rolin protagonist krahas aktoreve, Bryce Dallas Howard dhe Daniella Pineda.