Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Charlie Puth aksidentalisht e konfirmoi bashkëpunimin me grupin “BTS”

Këngëtari i njohur amerikan, Charlie Puth, duket se pa dashje e ka konfirmuar lajmin se një bashkëpunim me grupin e muzikës K-Pop, “BTS”, është në realizim e sipër.

Kantautori shumë i dashur për publikun e zbuloi këtë gjë aksidentalisht, gjatë një interviste, raportoi portali “NME”.

Në koncertin “iHeart Radio Wango Tango” më 5 qershor, Puthit i rrëshqitën fjalët teksa gazetari po i thoshte se fansat e tij po e presin me padurim një bashkëpunim mes tij dhe “BTS”.

“Edhe unë e kam dëgjuar këtë lajm por askush nga ekipi im nuk e di datën e saktë se kur do të lansohet kënga. Në fakt e dimë, por sapo kemi arritur ta marrim këtë vendim”, u përgjigj këngëtari duke lënë të kuptohet se ky bashkëpunim po ndodhë me të vërtetë.

Deri me tani, studiot incizuese me të cilat Puth dhe “BTS” bashkëpunojnë nuk e kanë konfirmuar apo mohuar lajmin. Por nëse del të jetë i vërtetë, atëherë kjo do të jetë hera e parë që këta artistë e lansojnë një projekt të përbashkët muzikor.

Charlie nuk është artisti i vetëm që ka shfaqur interesim për të bashkëpunuar me grupin e njohur nga Korea Jugore. Në fillim të vitit, reperi Snoop Dogg zbuloi se i ka incizuar vargjet e një kënge të re me “BTS”. Ai tha se pjesa e tij i është dërguar shtatë anëtarëve të bendit, por ende nuk ka informata se çfarë po ndodhë me këtë projekt.

Image