Reperja e njohur Cardi B, 32 vjeçe, ka folur hapur për dhimbjen dhe lodhjen emocionale që përjetoi gjatë martesës me Offset, anëtarin e grupit Migos, me të cilin ka tre fëmijë: Kulture 6 vjeç, Wave 3 vjeç dhe Blossom, vetëm tetë muajshe.
Çifti u martua në vitin 2017 dhe megjithëse ajo depozitoi kërkesën për divorc në vitin 2020, ata vazhduan marrëdhënien në mënyrë të paqëndrueshme, derisa u ndanë përfundimisht në korrik të vitit të kaluar.
“Nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë sa e lodhur isha. Sa e lodhur, sa e rraskapitur mendërisht isha. E rraskapitur, e rraskapitur, e rraskapitur. Nuk haja dot. Më dhembte shpesh koka. Po çmendesha nga mendja”, ka thënë Cardi në një rrëfim emocional përmes X Spaces, të transmetuar nga People.
Ajo ka shtuar se i ka dhënë tepër shumë shanse, por nuk ka funksionuar.
"Po të isha ende me të, do përfundoja në burg, sepse do e vrisja. Me duart e mia. Ishte bërë e tepërt. Thjesht shumë”, ka thënë ajo.
Artistja ka theksuar se problemet në martesë nuk kishin të bënin vetëm me tradhtinë.
“Njerëzit e shohin si: ‘E le sepse po të tradhtonte’. Por nuk ishte vetëm kjo. Ishin gënjeshtrat e vazhdueshme, manipulimi. Më shkatërronte psikologjikisht. Isha në depresion. Gënjeshtrat, drama pa fund… Zgjohesha çdo mëngjes me paranojë”, ka thënë tutje këngëtarja.
Menaxhmenti i saj, i shqetësuar për shëndetin mendor të artistes, i rekomandoi të shkonte në seanca psikologjike te terapisti.
“Bëra terapi, u përpoqa, rashë përsëri në dashuri, vendosa ta kem fëmijën tim dhe… në fund, kur diçka mbaron, ka mbaruar. Nuk e di çfarë prisnin njerëzit që të bëja”, ka thënë 32 vjeçja.
Por tash, Cardi B thotë se është më e lumtur se kurrë, në një marrëdhënie të re me sportistin Stefon Diggs, 31 vjeç.
“Jam në një fazë të jetës ku jam shumë e lumtur. Ndihem sikur po zvarritem, si një fëmijë që mëson të ecë. Të dalësh në takime është diçka e re për mua. M’u desh kohë e gjatë për të hapur zemrën për dikë”, ka thënë ajo duke shtuar se lidhja me Diggs ka nisur si miqësi.