Artisti Pharell Williams, i cili është drejtor kreativ në linjën e burrave, te brendi i njohur i veshjeve “Louis Vutton”, ndërkohë që po përgatiste kostumin e këngëtares Sabrina Carpenter, i ka thënë asaj se nuk mund të vishte pantallona në “Met Gala” sepse është e shkurtër. Ndërkohë që këngëtarja Cardi B, e cila po ashtu është e shkurtër, u shfaq në tapetin e kuq të ngjarjes me pantallona të qepura nga brendi “Burberry”.
Nata më e madhe e modës, e njohur si “Met Gala”, u mbajt të hënën mbrëma me pjesëmarrjen e yjeve më të mëdhenj, bazuar në kodin e veshjes “Tailored for You” dhe në përputhje me temën e ekspozitës “Superfine: Tailoring Black Style”, ka raportuar BuzzFeed.
Mes të ftuarve ishte edhe këngëtarja Carpenter, e cila kishte veshur një kostum njëpjesësh me ngjyrë vishnje të errët nga brendi “Louis Vuitton”, një xhaketë me prerje të strukturuar dhe taka shumë të larta pa pantallona fare. Ajo u stilua nga vetë Williams.

“Ai më tha: ‘Je e shkurtër, kështu që pa pantallona për ty.’ Kështu që, ja ku jemi”, ka thënë Carpenter në tapetin e kuq të ngjarjes kur u intervistua nga artistja La La Anthony, në kuadër të Vogue.
Por publiku, që nga shtëpia po komentonte pamjet nga “Met Gala” në rrjete sociale, nuk e priti mirë këtë justifikim të Pharrell.
Shumë komentues vërejtën se kjo temë ishte një mundësi e artë për të treguar se sa shumë mund të ndikojë qepja e duhur në përmirësimin vizual të përmasave trupore, veçanërisht për personat e shkurtër.
“Nëse Pharrell me të vërtetë i tha Sabrinës se është shumë e shkurtër për të veshur pantallona, atëherë po thotë që në selinë e LV nuk dinë si të qepin, lol”, ka shkruar një komentues në X.

Një tjetër shtoi se “Edhe unë mendova njësoj kur ajo e tha atë gjë, uhhh, çfarë mundësie e humbur për të treguar aftësitë në qepje!”
Ndërsa një grua tjetër shkroi se “Si një grua shumë e shkurtër, si Sabrina, pothuajse u ndjeva e ofenduar nga ai koment. Është kufizues dhe nënçmues. Dhe mbi të gjitha, është i paarsyeshëm dhe dembel, sepse veshja me pantallona s’ka të bëjë me gjatësi, por me qepje, përshtatje dhe stil”.
Por pastaj u shfaq këngëtarja Cardi B në tapetin e “Met Galas”, dhe ajo u dëshmoi të gjithëve të kundërtën. Ajo kishte veshur një kostum kadife të gjelbër të qepur në mënyrë perfekte nga brendi i njohur “Burberry”, me pantallona të gjata dhe siluetë të zgjatur, duke treguar qartë fuqinë që ka qepja.
Cardi, që është vetëm 1.60 metra e gjatë, u vlerësua për pamjen e saj, dhe shumë përdorues në rrjete sociale e përdorën si shembull për të kritikuar edhe më shumë zgjedhjen që iu bë Carpenterit.

“Ky është arti i vërtetë i qepjes. Ia kanë zgjatur këmbët në mënyrë të pabesueshme. S’do ta mendoje që kjo vajzë është vetëm 1.60", ka shkruar një tjetër komentues në X.
Ndërkohë që një tjetër përdorues i rrjeteve sociale ka shkruar se “kjo është arsyeja pse komentet e Pharrell për Sabrinan ishin të pavenda”.
Dhe dikush tjetër tha se “Ishte absurde që Pharrell i tha Sabrinës se s’mund të vishte pantallona ngaqë është e shkurtër. Pantallonat pikërisht mund të të bëjnë të dukesh më e gjatë!”
Ndërkohë, edhe vetë Carpenter ka reaguar në X pas gjithë debatit. Ajo nuk e përmendi Pharrell, por iu përgjigj një postimi ku një komentues kishte bërë një analizë të detajuar me gjashtë pika për arsyet pse veshja e saj nuk funksionoi. Madje ai kishte redaktuar edhe një version tjetër të mundshëm të veshjes së saj, duke shtuar pantallona dhe një kapelë dramatike.
“Nuk do ta kisha sugjeruar kurrë këtë ngjyrë apo këtë kostum në stilin ‘drejtuesi i cirkut’, por është një shembull i mirë për të treguar se si veshjet që nuk përputhen me trupin mund të dështojnë.
- Jaka e ngushtë e bën qafën të duket edhe më e shkurtër.
- Supet e mprehta e theksojnë më shumë këtë efekt.
- Mëngët janë të fryra dhe pa formë, më mirë pa to që të theksohej beli.
- Butonat e mëdhenj e bëjnë belin të duket më i gjerë.
- Vijat vertikale janë çelësi për të krijuar iluzionin e gjatësi.
- Një kapelë dramatike me pupla do t’i shtonte dhe disa centimetra ekstra të shtuar pak lartësi”, thuhej në postim.
Përgjigjja e Carpenterit ishte e shkurtër, por me humor duke e pranuar se kishte gabuar me veshjen.
“Damn i fucked up..” ( e dreqosa fare), ka shkruar ylli.
