Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Bullock dhe Tatum protagonistë të filmit “The Lost City”

“The Lost City” është filmi i ardhshëm hollywoodian që i takon zhanrit aksion, aventurë dhe romancë.

Projekti pamjet e para të së cilit janë publikuar së fundmi, vjen me regji të vëllezërve Aaron dhe Adam Nee të cilët gjithashtu e kanë bashkëshkruar skenarin me dyshen, Oren Uziel dhe Dana Fox.

Në rolet protagoniste luajnë yjet e kinematografisë, Sandra Bullock dhe Channing Tatum.

Filmi e rrëfen historinë e një shkrimtareje të romaneve romantike, Loretta Sage, e personifikuar në film nga Bullock, e cila ishte e sigurt që asgjë nuk mund të ishte më keq sesa të ngecte në një turne libri, me modelin e saj të ballinës i cili portretizohet nga Tatum. Por gjërat përkeqësohen kur një përpjekje kidnapimi i dërgon ata në një aventurë të rrezikshme në xhungël, dhe kështu mëson se jeta mund të jetë shumë më e çuditshme dhe më romantike, se cilado histori e librave të saj.

Krahas Bullockut dhe Tatumit në këtë projekt luajnë edhe aktorët: Daniel Radcliffe, Da’Vine Joy Randolph, Patti Harrison, Oscar Nunez, Raymond Lee, Bowen Yang dhe ylli hollywoodian Brad Pitt. Roli i tij i vogël është bërë vetëm pak kohë pasi Bullock bëri një paraqitje të shkurt në filmin e tij të ardhshëm aksion, “Bullet Train”. Sipas revistës “Deadline”, ishte ylli i filmit “Miss Congentiality” ajo që e telefonoi mikun e saj për t’u bërë pjesë e këtij projekti, dhe pa hezitim ai e kishte pranuar rolin. Kjo do të jetë hera e dytë që Pitt dhe Bullock bashkëpunojnë, ani pse jo në rolet kryesore.

“The Lost City” lansohet nëpër kinematë botërore nga 25 marsi i vitit 2022.