Showbiz

Bruno Mars publikon këngën e re dhe paralajmëron turne botëror

Bruno Mars

Bruno Mars

Foto: Associated Press

Bruno Mars i ka dhënë fund pritjes gati dhjetëvjeçare për album të ri, duke publikuar një këngë të re dhe duke paralajmëruar një turne të madh në stadiume në mbarë botën.

Ylli i pop-it ka njoftuar se albumi i tij i katërt solo, i pari pas një dekade, do të titullohet “The Romantic” dhe do të publikohet më 27 shkurt. Albumi prezantohet nga kënga e re “I Just Might”, që tashmë është publikuar, ka raportuar The Independent.

Ani pse nuk ka nxjerrë një album solo që nga “24K Magic” në vitin 2016, Bruno Mars, emri i vërtetë i të cilit është Peter Gene Hernandez, ka vazhduar të jetë shumë i suksesshëm në klasifikimet muzikore.

Në vitin 2022, ai fitoi katër çmime “Grammy” për këngën “Leave the Door Open”, bashkëpunim me Anderson.Paak nën emrin Silk Sonic.

Ndërkohë, këtë vit ai është i nominuar për tre çmime “Grammy”, Kënga e Vitit, Incizimi i Vitit dhe Performanca më e Mirë Pop Duo/Grup, me këngën “APT”, në bashkëpunim me ROSÉ, e cila u shpall së fundmi kënga më e dëgjuar globalisht e vitit 2025 nga Apple Music.

Karriera e Bruno Mars nisi fuqishëm në vitin 2010 me hitin “Just the Way You Are”, pjesë e albumit të tij debutues “Doo-Wops & Hooligans”, i cili kryesoi toplistat muzikore si në SHBA ashtu edhe në Britani.

Në të njëjtën kohë me albumin, këngëtari ka njoftuar edhe “The Romantic Tour”, turneun e tij të parë si kryesues pas gati dhjetë vjetësh dhe hera e parë që do të performojë në stadiume në mbarë botën.

Turneu nis më 10 prill në Las Vegas dhe do të përfshijë Amerikën e Veriut, përpara se të zhvendoset në Evropë, me ndalesa në Paris, Berlin, Amsterdam, Madrid, Milano dhe Londër. Në Mbretërinë e Bashkuar, Bruno Mars do të mbajë dy koncerte në Wembley Stadium më 18 dhe 19 korrik, që janë edhe të vetmet data të shpallura deri tani për Britaninë.

Në të gjitha koncertet, Bruno Mars do të shoqërohet nga Anderson.Paak, i cili do të performojë si DJ Pee.Wee. Në disa data të përzgjedhura, mysafirë specialë do të jenë Leon Thomas, këngëtarja britanike RAYE dhe Victoria Monét.

Parashitja e biletave për artistët nis të mërkurën, më 14 janar, ndërsa shitja e përgjithshme fillon më 15 janar.