Showbiz

Britanikët e kanë votuar filmin e preferuar të Krishtlindjeve

“Home Alone” është votuar filmi i preferuar i Krishtlindjeve në Britani të Madhe.

Projekti i vitit 1990 i mori 19 për qind të votave në një studim mbarëkombëtar të kryer nga rrjeti i kinemave, “Showcase Cinemas”, pak para periudhës festive dhe kështu e mundi konkurrencën e përbërë nga komedia klasike e Will Ferrellit, “Elf” dhe filmi i mbushur me aktorë yje, “Love Actually”.

Në një garë të ngushtë për t’u emëruar personazhi i preferuar në një film të Krishtlindjeve, performanca e Will Ferrell si Buddy Elf, ia mundësoi atij ta zërë vendin e parë.

Performanca e aktorit Macaulay Culkin si djaloshi i shkathët dhe problematik, Kevin McCallister, u rendit e dyta bazuar në shijet e publikut në Britani të Madhe, kurse heroi i filmit “Die Hard”, John McClane, i personifikuar nga ylli i filmave aksion Bruce Willis, u rendit në vendin e tretë me 15 për qind të votave.

Sa i përket garës së aktorëve që e kanë portretizuar më së miri Babadimrin në filma, interpretimi i aktorit të ndjerë Richard Attenborough në filmin e vitit 1994, “Miracle on 34th Street”, u përzgjodh performanca e preferuar e britanikëve.

Kurt Russell përfundoi në vendin e dytë me interpretimin e tij të Babadimrit në filmin e vitit 2018, “The Christmas Chronicles”, derisa Tom Hanks renditet i treti për huazimin e zërit të personazhit shumë të dashur për fëmijë në filmin e animuar, “The Polar Express”.

Për ta festuar periudhën e festave të fundvitit rrjeti i kinemave në vend, “Showcase Cinemas”, do t’i shfaqë disa prej filmave të preferuar të publikut, të cilët e trajtojnë këtë temë, nëpër kinematë e tyre anembanë Britanisë së Madhe.