Showbiz

Blerina Kllokoqi Rugova prezanton koleksionin "Dardania"

Parku Arbëria në kryeqytet, mbrëmjen e së mërkurës, ishte kthyer në një pasarelë, ku do të parakalonin modelet me fustane të punuara me shumë delikatesë. Por nuk ishte vetëm kaq, kjo mbrëmje kishte shumë të papritura.

Ambienti i gjelbëruar kishte marrë një pamje shumëngjyrësh dhe këtë po e bënin reflektorët e shumtë. E çdo gjë të dukej ashtu siç ishte menduar, vërehej një numër i madh i njerëzve, të cilët ishin angazhuar që kjo mbrëmje të marrë epitetin e një sfilate madhështore, raporton Express i KTV-së.

Në anën tjetër, një përkushtim i madh vërehej brenda një tende, e cila ishte ngritur prapa skenës. Brenda saj gjendeshin modelet në numër të madh, të cilat po bëheshin gati për të prezantuar punën e kreatores shqiptare Blerina Kllokoqi Rugova. Kjo e fundit dukej që ishte kujdesur deri në detaje edhe për mënyrën e prezantimit.

Çdo gjë ishte gati. Të ftuarit po zinin vendet, të gjithë kryesisht të veshur në mënyrë elegante. Si rëndom, nuk munguan personazhet e njohura publike.

Sfilata ishte titulluar “Dardania” dhe gjithçka nisi me Dardanët, tifozët e kombëtares së Kosovës, të cilët duke bërë tifo, ftuan modelet të sfilojnë.

Koleksioni “Dardania” solli rreth 50 fustane, kryesisht me ngjyra të lehta.

Për t’i shtuar edhe më shumë magji mbrëmjes së 21 qershorit, ishin ftuar fëmijët me Sindromin Down nga shoqata “Pema", të cilët u shoqëruan me duartrokitje.

Për këtë koleksion kryesisht janë përdorur dantellat transparente.

Anita Haradinaj ka përgëzuar kreatoren për mënyrën e prezantimit të koleksionit.

E pranishme ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka uruar kreatoren Kllokoqi Rugova.

Kujtojmë se Blerina Kllokoqi Rugova ishtë disenjatorja personale e Atifete Jahjagës në kohën kur ishte e para e shtetit. Ky bashkëpunim duket se vazhdon ende.

Dhe jo vetëm nga politika, të ftuar pat edhe nga arti dhe muzika. Fjalët më të mira për kreatoren shqiptare u thanë edhe nga Nora Istrefi dhe Robert Berisha.

Ashtu siç nisi edhe përfundoi. Nën ritmet e muzikës së Dardanëve, nën tingujt e këngës së përpunuar "Të dua sa Kosovën" e me përcjelljen e fishekzjarrëve që ndriçonin qiellin, pasarela u pushtua nga 47 modelet, duke e përmbyllur kështu sfilatën me fustanet e koleksionit "Dardania" të kreatores Blerina Kllokoqi Rugova.

Për të pranishmit ishte organizuar edhe një koktej. "Fisnikët" ishin ata që u përkujdesen për të argëtuar të pranishmit me muzikën e tyre.