Pas performancës në “BST Hyde Park”, “BLACKPINK”, ka bërë histori si grupi i parë i muzikës K-Pop që shërben si performues kryesor i një festivali madhështor në Britani të Madhe
Grupi i përbërë nga 4 vajza i performoi gjithsej 17 këngë, duke e elektrizuar skenën dhe duke argëtuar 65 mijë fansat që kishin blerë biletat enkas për këtë grup.
Duke u prezantuar si kurrë më parë para publikut londinez, Jennie, Jisoo, Rosé dhe Lisa, e filluan koncertin me hitet e tilla si, “Pink Venom”, “How You Like That”, “Pretty Savage” dhe “Kick It”, para se të kalonin tek kënga e tyre debutuese “Whistle”, me të cilën e fituan famën ndërkombëtarisht në vitin 2016.
Katër pjesëtaret e grupit sollën shumë energji në skenë për plot 90-minuta, duke mahnitur me koreografitë e njëpasnjëshme dhe ndryshimet e veshjeve. Gjatë koncertit, Rosé deklaroi: “Jemi absolutisht të nderuara që po performojmë këtu në Hyde Park… Për ne kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet!”
Përveç hiteve të grupit, vajzat nuk hezituan t’i interpretojnë edhe këngët e tyre të realizuara si solo artiste. Jennie e këndoi hitin “You & Me”, Jisso e interpretoi këngën “Flower”, Rose e solli një performancë fantastike të “Gone + On The Ground” dhe në fund turma u argëtua me interpretimin e hitit “Money” nga Lisa.
Para se grupi i muzikës K-Pop të dilte në skenë për publikun performuan edhe artistët, Rebecca Black, The Rose, Sabrina Carpenter dhe të tjerë.
Edhe
“BLACKPINK” vazhdon të thyejë rekorde me albumin “Born Pink”
Disa prej emrave që janë pjesë e festivalit të sivjetmë “BST Hyde Park” janë: grupet “Guns N’ Roses” dhe “Take That”, këngëtarja amerikane P!nk, dhe ikonat e muzikës, Billy Joel dhe Bruce Springsteen. Në mbrëmjen finale skenën do ta hijeshojë ylli, Lana Del Rey, e cila e përmbyll festivalin me një performancë speciale më 9 korrik.
Përgatiti: Edona Binaku