Aktori i shpërblyer me “Oscar”, Ben Affleck, e feston ditëlindjen e 50-të të hënën (15 gusht).
I lindur në vitin 1972 në Berkeley të Californias, Affleck i ndoqi hapat e babait dramaturg dhe aktor, derisa e ëma e tij ishte mësuese në një shkollë fillore, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Ben e filloi karrierën prej aktori qysh në fëmijëri, duke e fituar rolin e parë profesional në moshën shtatë vjeçare. Ai po ashtu ishte pjesë e serialit edukativ, “The Voyage of the Mimi”, nga viti 1984 deri më 1988.
Aktori u bë i famshëm anembanë globit kur së bashku me mikun dhe kolegun e tij, Matt Damon, e fituan një shpërblim “Oscar” në kategorinë “Skenari më i mirë origjinal” për filmin e vitit 1997, “Good Will Hunting”.
Gjatë karrierës kinematografike disa dekadëshe, Affleck ka luajtur në filma të shumtë si, “Dazed and Confused”, “Mallrats”, “Chasing Amy”, “Dogma”, “Armageddon”, “Pearl Harbor”, “The Sum of All Fears”, “Changing Lanes” dhe “Gone Girl”. Ai po ashtu e ka portretizuar superheroin Batman në filmat, “Batman v Superman: Dawn of Justice” dhe “Justice League”.
Ai po ashtu e gëzon një karrierë të suksesshme si regjisor. Debutimin regjisorial e shënoi me filmin e vitit 2007 “Gone Baby Gone”, kurse në vitin 2012 luajti dhe e bëri regjinë e dramës, “Argo”, e cila ia fitoi disa shpërblime të rëndësishme kinematografike, përfshirë këtu çmimin “Oscar” për kategorinë “Filmi më i mirë”.
Larg ekranit, aktori shquhet për lidhjet romantike me emra të njohur të showbizit, si Gwyneth Paltrow, Jennifer Garner, Lindsay Shookus dhe Ana de Armas. Me ish-bashkëshorten, Garner, ai i ka tre fëmijë.
Muajin e kaluar, Affleck u martua me yllin e muzikës dhe filmit, Jennifer Lopez, pothuajse 20 vjet pasi çifti i dha fund fejesës së tyre.
