Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Bebe Rexha e shënoi debutimin në festivalin “KCON”

Ylli i muzikës, Bebe Rexha, iu bashkua vajzave të grupit “ITZY”, Yeji dhe Ryujin, për një performancë befasuese të hitit “Break My Heart Myself” në kuadër të festivalit të përvitshëm, “KCON”, i cila ka për qëllim ta festojë kulturën dhe muzikën koreane.

Bashkëpunimi mes vajzave u prit jashtëzakonisht mirë nga ndjekësit e festivalit më të madh të muzikës K-pop në Amerikë, i cili këtë vit u zhvillua në Qendrën e Konventave në Los Angeles. E veshur me të zeza, Rexha u ngjit në skenë gjatë performancës së grupit “ITZY” si dhe e interpretoi hitin e saj shumë personal së bashku me këngëtaret koreane, Yeji dhe Ryujin, duke marrë duartrokitje të forta nga turma, raportoi të hënën portali “Billboard”.

Pas koncertit që zuri vend të shtunën mbrëma, Yeji dhe Ryujin, i ndanë disa fotografi nga prapaskenat e kësaj ngjarjeje.

“Një nder i veçantë ta performonim këngën ‘Break My Heart Myself’ në festivalin ‘KCON’, së bashku me këngëtaren shumë të dashur, Bebe. Ishte një moment i paharrueshëm për ne”, shkruhej në postimin e grupit “ITZY” në Twitter.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, po ashtu e festoi këtë bashkëpunim duke e ndarë një fotografi krahas yjeve të muzikës K-Pop.

Edhe Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin me grupin “ITZY” Showbiz Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin me grupin “ITZY”

Ngjarja tre-ditore, e cila filloi më 19 gusht, bashkon të gjitha aspektet e kulturës koreane me organizimin e paneleve, punëtorive, aktiviteteve dhe shumë më shumë, derisa gjithçka përmbyllet me një koncert madhështor. Ky vit po ashtu e shënoi 10-vjetorin e festivalit.

Në fillim të muajit qershor, vajzat e grupit “ITZY” e sollën një performancë të mrekullueshme vallëzimi të shoqëruar me tingujt e këngës, “Break My Heart Myself”. Ato e postuan këtë video në YouTube, me ç’rast edhe e rrëmbyen vëmendjen e yllit të muzikës pop, Bebe Rexha. Kënga është pjesë e albumit të vitit 2021 të Rexhës, “Better Mistakes”, i cili e detajon betejën e këngëtares me shëndetin mendor dhe çrregullimin bipolar.