Showbiz

Bashkëshorti i Alicia Keys reagon ndaj spekulimeve për ndarje

Alicia Keys dhe Swizz Beatz

Alicia Keys dhe Swizz Beatz

Foto: Associated Press

Swizz Beatz, bashkëshorti i këngëtares së njohur Alicia Keys, ka folur rreth thashethemeve mbi statusin e marrëdhënies së tyre, vetëm një muaj pasi çifti festoi 15-vjetorin e martesës.

Më herët, gjatë kësaj vere, YouTuber-ja Misstee pretendonte se Swizz, 46 vjeç, e kishte tradhtuar Keys, 44 vjeçe, kishte bërë një fëmijë jashtë martese dhe se këngëtarja e hitit “No One” kishte paraqitur kërkesë për divorc, pati shkruar revista Poeple.

Por DJ-i dhe producenti fitues i çmimeve “Grammy” ka reaguar në rrjete sociale për të mohuar çdo spekulim rreth problemeve në marrëdhënien e tyre.

Ai hodhi poshtë zërat se martesa e tij me këngëtaren po shkonte drejt divorcit.

“Të gjithë e dinin që ishim të divorcuar, përveç nesh. Ne e kuptuam gjatë pushimeve për 15-vjetorin tonë”, ka shkruar ai me humor në një postim në rrjetin social Instagram, ka raportuar E News.

Ai tutje ka shtuar se njerëzit preferojnë t'i besojnë thashethemet e rreme në vend të së vërtetës, sepse janë të pakënaqur.

“Ne s’kemi të bëjmë me këtë!!!”, ka thënë tutje Beatz.

Çifti, i martuar që nga viti 2010, ka dy fëmijë së bashku. Në korrik, ata shënuan përvjetorin e tyre me dedikime prekëse në rrjete sociale.

“Ne jemi sublimë. Të përkushtuar. Më gjatë se koha. Ti je i imi. Unë jam e jotja. Dhe prapë e lëmë njëri-tjetrin të lirë. Askund tjetër. Askund më shumë. Unë dua të jem. Shiko te ne. Dhe shih të vërtetën. Dashurinë dhe bukurinë. Përgjithmonë e jotja. Plotësisht. Çfarë kohe. Çfarë kohe. Ne jemi sublimë. 15 vite magji!!! Dhe sapo kemi filluar”, ka shkruar Keys në një postim më 31 korrik.

Nga ana e tij, Beatz për përvjetor postoi fotografi nga udhëtimi i tyre në Tokio.

“Vetëm energji pozitive. Bekime dhe dashuri e pafund!!! Ju urojmë dashuri dhe lumturi të pafundme”, ka shkruar ai në një postim në po të njëjtën datë.

Në komente, Kayz i ka thënë se është “mbreti i saj”.

“Të adhuroj më shumë se fjalët, mbreti im!! Jemi më të lidhur se kurrë!! Përgjithmonë”, ka shkuar këngëtarja.

Çifti ka treguar shpesh se përveç partneritetit në jetë, janë edhe mbështetësit më të mëdhenj të njëri-tjetrit në karrierë.

Në muajin shkurt, kur Keys pranoi çmimin “Dr.Dre Global Impact Award” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve  “Grammy 2025”, ajo falënderoi bashkëshortin nga skena.

“Falënderoi fëmijët e mi të bukur Egypt, Genesis, KJ, Nicki, Nas, dhe burrin tim të mrekullueshëm, shpirtin tim binjak dhe ëndërrimtarin më të madh, Swizzy”, pati thënë ajo.