Showbiz

Babai i dukeshës Meghan Markle dërgohet me urgjencë në spital

Thomas Markle, babai i Dukeshës së Sussexit, është dërguar urgjentisht në spital pasi ka pësuar sulm në tru.

77-vjeçari aktualisht është duke u trajtuar nga mjekët në një spital të Amerikës, raportoi të mërkurën portali “Female”.

Vajza e tij, Samantha Markle, për portalin “MailOnline” ka deklaruar: “Babai im është duke e marrë veten në spital. Kërkojmë privatësi për familjen tonë, për shkak të shëndetit dhe mirëqenies së tij. Ai thjeshtë ka nevojë për qetësi dhe të pushojë. Ne vazhdojmë të lutemi për të”.

Në fund të kësaj jave, Thomas kishte planifikuar të udhëtojë për në Britani të Madhe, pasi dëshironte të jetë i pranishëm në Londër për ta festuar 70-vjetorin e shërbimit të Mbretëreshës Elizabeth në fron. Ai gjithashtu po shpresonte t’i takojë anëtarët e familjes mbretërore.

Sidoqoftë, tani ai do ta ketë të pamundur të udhëtojë shkaku i hospitalizimit.

Në vitin 2018, Thomas Markle nuk qe i pranishëm në kurorëzimin e së bijës, Meghan me princin Harry, kjo ngase ishte duke e marrë veten nga operacioni në zemër. Megjithatë, ai nuk gëzon raporte të mira me dukën dhe dukeshën e Sussexit.

Në intervista të panumërta ai ka folur keq për vajzën e tij, duke e akuzuar atë se e ka përjashtuar nga jeta pasi është bërë anëtare e familjes mbretërore. Këto veprime kanë bërë që Meghan t’i shkëpus të gjitha lidhjet me të dhe motrën e saj, Samantha. Kjo e fundit madje e ka akuzuar publikisht aktoren e shndërruar në dukeshë, për përkeqësimin e shëndetit të babait të tyre.

Deri më tani, çdo veprim i Thomas dhe Samantha Markle ka qenë skandaloz dhe me tendenca për ta dëmtuar reputacionin e Meghanit. Raporti i tyre familjarë është dëmtuar deri në atë masë, sa dukesha e Sussexit dhe Princi Harry kanë vendosur t’i mbajnë ata larg fëmijëve të tyre të vegjël, Archie dhe Lilibet.

Image