Showbiz

Ava Max tregon për fatkeqësinë që kishte pësuar me kordat e zërit

Ava Max

Ava Max

Foto: Associated Press

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Ava Max, ka treguar se kordat e zërit i “shpërthyen” para se të nisej në një turne promocionale për hitin e saj të vitit 2018, “Sweet But Psycho”, por më pas i dolën një palë të reja, të cilat mjeku i saj i ka quajtur “mrekulli”.

31-vjeçarja emri i vërtetë i të cilës është Armanda Ava Koçi, ka treguar se një ditë para udhëtimit për të promovuar këngën, kishte pësuar gjakderdhje në korda.

“Kam pasur gjakderdhje prej kordave të zërit. Më kanë shpërthyer një ditë para se të udhëtoja në turneun promocional për ‘Sweet But Psycho’. Ndërkohë që ‘Sweet But Psycho’ ishte numër një në të gjithë botën, por më shpërthyen kordat”, ka thënë ajo për “Daily Star”, ka raportuar FemaleFirst.

Për të fshehur problemin nga ekipi, Max ka treguar se u justifikua me sëmundje të tjera.

“Menaxheret e mi nuk e dinin, askush s’e dinte, i thash se kam infeksion ne fyt dhe grip, e gjithçka që ta tejkaloja situatën e të më jepnin dy javë më shumë për të shkuar në Evropë”, ka shpjeguar këngëtarja.

Ajo ka kujtuar se për dy javë pushoi pothuajse gjithë kohën, duke fjetur deri në 14 orë në ditë dhe duke ngrënë shumë pak.

Kur u rikthye te mjeku, mori lajmin e papritur se kordat vokale i kishin dalë përsëri.

“Kur shkova në doktori pas një jave e gjysmë, me tha se s’kishte parë asnjëherë të ndodhte një mrekulli e tillë por kordat e zërit më ishin shfaqur sërish të reja, si bebe. Ai më tha se duhej të isha shumë e kujdesshme pasi që mund të shpërthejnë përsëri”, ka thënë ylli.

Sipas saj, vitin e parë që interpretoi “Sweet But Psycho” ishte si të mësonte të këndonte nga fillimi me zërin e ri.

“Kur i shoh videot e atëhershme më duket sikur isha duke mësuar të këndoja përsëri nga fillimi më korda të reja të zërit dhe askush nuk e di”, është shprehur Max, e cila me këtë këngë fitoi çmimin “Best International Song” në “Los 40 Music Awards” në vitin 2019.

Artistja gjithashtu ka folur edhe për përvojat e vështira në fillim të karrierës, duke përfshirë ngacmimet seksuale.

“Më ka mbyllur në dhomë një producent kur isha 20 vjeçe dhe lotët e mi i quajti ‘lot krokodili’. E mbaj në mend atë moment dhe mendoja me vete se nuk dua kurrë më të përballem me diçka të tillë e pastaj u mbylla hermetikisht, isha shumë e trishtuar atë vit dhe një vit më pas fillova të takoj njerëz të duhur, por gati hoqa dorë”, ka thënë ajo.

Duke kujtuar periudhën e vështirë kur kërkonte ekip të besueshëm, këngëtarja ka shtuar se ishte jashtëzakonisht e vështirë sepse të gjithë ose donin të kryenin marrëdhënie intime me të ose të bënin gjëra shumë të këqija.