Lionsgate thuhet se ia ka dhënë dritën e gjelbër vazhdimit të filmit “Knives Out”, nga regjisori dhe skenaristi Rian Johnson.
Qysh kur u shfaq në nëntor të vitit 2019, misteri argëtues në stil të Agatha Christie me Daniel Craig në një nga rolet kryesore i ka mahnitur kritikët po aq sa edhe audiencën.
Johnson ka konfirmuar se ai tashmë është duke punuar në një ngjarje të re, e cila do të duhej të përqendrohet në personazhin e Benoit Blanc, të luajtur nga Craig në filmin e parë, por mund të presim që në pjesën tjetër të ekipit të aktorëve do të jetë një ekip krejt tjetër.
Në filmin e parë, i cili ende mund të shikohet në kinema, gjithashtu luajtën Jamie Lee Curtis, Chris Evans, Christopher Plummer, Ana de Armas, Don Johnson, Toni Collette dhe Michael Shannon.

Johnson nuk ka zbuluar se kur mund ta shohim vazhdimin në kinema, por tha se shpreson t’i fillojë xhirimet vitin e ardhshëm, kështu që mund të shpresojmë që filmi do të dalë në fund të vitit 2021, shkruan KOHA Ditore. Të gjitha informatat shtesë i presim brenda disa muajve.