Showbiz

Arrihet marrëveshja e ndarjes së pasurisë së Princit, gjashtë vjet pas vdekjes së tij

Familja e yllit të muzikës, Prince, e ka arritur një marrëveshje për ndarjen e pasurisë 156 milionë dollarëshe të këngëtarit të ndjerë.

Prince vdiq nga mbidoza me fentanil në prill të vitit 2016, në moshën 57-vjeçare. Muzikanti i famshëm nuk kishte lënë testament dhe duke qenë se nuk kishte grua apo fëmijë, e gjithë pasuria u trashëgua nga gjashtë vëllezërit dhe motrat e tij.

Tre prej tyre kanë vendosur t’ia shesin aksionet e tyre kompanisë, “Primary Wave”, e cila vitin e kaluar i bleu të drejtat autoriale të katalogut muzikor të Princit. Kurse të tjerët i mbajtën aksionet e trashëguara si dhe i angazhuan këshilltarët e vjetër të Princit, Londell McMillan dhe Charles Spice, për t’i menaxhuar ato.

Të hënën (1 gusht), një gjykatës në Minnesota e nënshkroi marrëveshjen e ndarjes së pasurisë së këngëtarit të ndjerë. Përmes një komunikate për media të lëshuar për portalin “Billboard”, zëdhënësit e kompanisë “Primary Wave” bënë të ditur se “janë shumë të kënaqur që i gjithë ky proces më në fund u finalizua”.

Kurse, Londell McMillan, shtoi se ai dhe partnerët e tij po ndihen të lehtësuar dhe të lumtur që kanë përfunduar punë me sistemin e gjykatës dhe bankierët, të cilët nuk e njohin biznesin e muzikës dhe nuk e njihnin Princin apo dëshirat e tij.