Showbiz

Liam Payne la pas pasuri mbi 28 milionë euro

Liam Payne

Liam Pyne

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur i grupit One Direction, Liam Payne, ka lënë pas një pasuri të madhe që arrin mbi 24 milionë funte britanike ose mbi 28 milionë euro sipas dokumenteve zyrtare të trashëgimisë. Ai ka vdekur në Argjentinë në muajin tetor të vitit të kaluar, në moshën 31-vjeçare, pa lënë testament, ka raportuar BBC.

Nëse një person vdes pa lënë testament, sipas ligjit britanik, pasuria kalon te fëmijët në rast se nuk ka një bashkëshort apo partner të regjistruar ligjërisht. Payne nuk ishte martuar kurrë, por kishte një djalë 8-vjeçar, të quajtur Bear, me ish-partneren e tij, këngëtaren Cheryl nga grupi Girls Aloud.

Cheryl dhe Richard Bray, një avokat i industrisë së muzikës, janë emëruar si administratorë të pasurisë së Payne. Ata kanë të drejtën ta menaxhojnë pasurinë, por për momentin kanë autoritet të kufizuar dhe nuk mund ta shpërndajnë atë.

Payne ka humbur jetën pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires. Ngjarja tronditi jo vetëm industrinë e muzikës, por edhe miliona adhurues në mbarë botën që e kujtojnë si një nga yjet e grupit që shënoi një dekadë të tërë në pop-in global.

Në muajin shkurt, një gjykatë në Argjentinë pushoi hetimet për neglizhencë ndaj tre, prej pesë personave që kishin qenë të dyshuar në lidhje me vdekjen e tij.

Sipas dokumenteve të trashëgimisë:

-Vlera bruto e pasurisë së Payne ishte 28.6 milionë funte britanike.

-Pas shlyerjes së borxheve dhe shpenzimeve, pasuria neto mbeti 24.3 milionë paund.

Cheryl dhe Bray për momentin janë të kufizuar në ruajtjen e pasurisë, deri në një vendim të përgjithshëm nga gjykata për administrimin e plotë.