Showbiz

Applegate e emocionuar në ceremoninë e nderimit me yll në Hollywood

Aktorja Christina Applegate u ribashkua me kolegët e serialit “Married With Children”, Katey Sagal dhe David Faustino, me rastin e ceremonisë së zbulimit të yllit të saj në bulevardin e famës në Hollywood.

Sagal dhe Faustino, të cilët e portretizuan nënën dhe babanë e Christinas në serialin hit televiziv, mbajtën fjalime prekëse para të pranishmëve në këtë ngjarje, me ç’rast patën vetëm fjalë të mira për aktoren e shpërblyer me çmim “Emmy”.

Ceremonia e së hënës gjithashtu e shënoi paraqitjen e parë publike të aktores Applegate, prej kur e bëri të ditur lajmin se është diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë, shkruan agjencia e lajmeve “AP”.

Në fjalimin e saj para publikut të pranishëm, aktorja e falënderoi vajzën e saj dhe fansat, për gjithë përkrahjen.

“Njeriu më i rëndësishëm në këtë botë është vajza ime. Ti je gjithçka për mua dhe jam e bekuar çdo ditë që kam mundësi të zgjohem në mëngjes dhe të të shoqërojë në shkollë. Faleminderit ty dhe fansave që më keni qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe”.

Ylli i njohur i kinematografisë mësoi se kishte sklerozë të shumëfishtë gjatë xhirimeve të sezonit të tretë dhe të fundit të serialit “Dead to Me”. Kolegia e saj në këtë projekt, Linda Cardellini, të cilën në të kaluarën Christina e quajti një kampione dhe luftëtare, si dhe krijuesja e serialit Liz Fildeman, po ashtu ishin të pranishme në ceremoni.

Në një intervistë për gazetën “The New York Times”, Applegate tha se është e vendosur që ta përfundojë sezonin e fundit të këtij seriali, kjo pasi xhirimet u detyruan të pezullohen për disa muaj në mënyrë që ajo të mund të trajtohej.

“Kisha obligim ndaj Lizit dhe Lindas si dhe historisë së personazheve tona në këtë projekt. Megjithëse m’u propozua që të pushonim për ca kohë dhe t’i lëmë disa episode pa u finalizuar, unë nuk pranova dhe ju thash që do ta vazhdonim punën deri në fund, por sipas kushteve të mia”, deklaroi aktorja.

Sezoni i tretë i serialit “Dead to Me” e shënon premierën në Netflix më 17 nëntor.