Regjisori i filmave “Mad Max”, George Miller, ka bërë të ditur se vazhdim i ri i këtij filmi i cili kthehet prapa në histori, do të fokusohet në personazhin e aktores, Charlize Theron, Furiosa.
Ndërkohë së fundmi, u konfirmua edhe lajmi se aktorja e përzgjedhur për ta portretizuar këtë rol është, Anya Taylor-Joy, e njohur për role në filma të tillë si: “Vampire Academy”, “Split”, “Glass”, “Emma”, “The New Mutants” dhe të tjerë. Krahas aktores 24-vjeçare ekipit të filmit i janë bashkuar edhe yjet, Chris Hemsworth dhe Yahya Abdul-Mateen.
Charlize Theron për herë të parë e ka portretizuar Furiosan në filmin e vitit 2015, “Mad Max: Fury Road”, që ishte mirëpritur nga publiku mbarëbotëror, si dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë aksion të të gjitha kohërave.
Miller ka thënë se e kishte menduar idenë për ta sjellë aktoren e famshme hollywoodiane në ekran të madh, me ndihmën e teknologjisë së fundit që u mundëson t’ua ulin moshën personazheve, por përfundimisht kishte vendosur të mos vepronte kështu. Tutje, regjisori ka treguar se e kishte shkruar skenarin e këtij projekti para se të fillonin xhirimet e filmit “Fury Road”, krahas tregimeve të personazheve të tjera të përfshira në film.
Në fillim të vitit 2020 u bë i ditur lajmi se vazhdimi i pestë në serinë e filmave “Mad Max” është konfirmuar tashmë, dhe xhirimet e tij planifikohet të fillojnë së shpejti.