Ylli hollywoodian, Anne Hathaway, ka zgjedhur të shikojë prapa në periudhën shqetësuese të jetës së saj, pas fitimit të çmimit “Oscar” pothuajse një dekadë më parë, dhe gjithë këtë eksperiencë e konsideron si një mundësi për të mësuar.
Hathaway, e cila në vitin 2012 e fitoi çmimin akademik në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, për performancën e shkëlqyer në mjuzikllin “Les Misérables”, të hënën mbrëma (17 tetor) ishte e pranishme në ngjarjen “Elle’s Women in Hollywood”, ku edhe foli për urrejtjen që e kishte përjetuar online dhe në media, veçanërisht pas kësaj fitore.
Aktorja ka zgjedhur që këtë periudhë problematike të para një dekade ta shikojë si një mundësi për të mësuar, dhe të mos e lejojë të ndikojë negativisht në jetën apo karrierën e saj.
“Dhjetë vjet më parë, m’u dha një mundësi për ta parë gjuhën e urrejtjes nga një këndvështrim i ri. Kjo ishte një gjuhë që e kisha përdorur me veten time që kur isha 7 vjeç. Dhe kur dhimbja e shkaktuar nga vetvetja në një farë mënyre përforcohet me ndihmën internetit, kjo gjë nuk është fare e lehtë të tejkalohet”.
Tutje, Hathaway tha se kjo eksperiencë e ka bërë ta kuptojë se nuk dëshiron të ndikohet nga ajo energji negative, qoftë në aspektin personal apo profesional.
Atë vit, Anne i fitoi disa shpërblime të mëdha kinematografike, përfshirë një çmim “Globi i Artë” dhe një “BAFTA”, si dhe konsiderohej favorite për t’u shpërblyer me “Oscar”. Sidoqoftë, me gjithë suksesin e saj erdhën edhe shumë kritika të ashpra.
“Ekziston një ndryshim midis ekzistencës dhe sjelljes. Ju mund ta gjykoni sjelljen e dikujt, mund ta falni atë sjellje ose jo. Por askush nuk ka të drejtë të gjykojë dhe veçanërisht ta urrejë dikë vetëm pse ekziston. Dhe nëse e bëni një gjë të tillë, jeni shumë gabim”, deklaroi Hathaway.
Edhe
Anne Hathwayt i duket sureal suksesi që arriti gjatë këtij viti
Fjalimin në gala mbrëmjen, “Elle’s Women in Hollywood”, aktorja e përfundoi me një mesazh pozitiv, duke treguar se si urrejtja është sjellje e mësuar dhe mund të ndryshohet.
“Lajmi i mirë për urrejtjen është se kushdo që e ka mësuar mund ta ndryshojë atë. Shpresoj që njerëzit do të zgjedhin gjithmonë t’i japin vetes shansin për ta mësuar dashurinë”.
Në fund, ylli i filmit “Devil Wears Prada” i lavdëroi koleget tjera të nderuar gjatë mbrëmjes, si Sigourney Weaver, Ariana DeBose, Sydney Sweeney, Michelle Yeoh, Issa Rae, Zoe Kravitz dhe Olivia Wilde.