Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Aniston thotë se po e shijon vetminë

Shiko, me të vërtetë nuk më pëlqen të më “kurdisin” lidhje. Jo se nuk më pëlqen, por e urrej, tha aktorja amerikane Jennifer Aniston (50), në radio- emisionin e Howard Stern (65) duke komentuar se aktualisht po e shijon vetminë. Ajo shtoi se është shumë e zënë me promovimin e serialit të saj të ri dhe përgatitjen për sezonin e dytë.

Ajo nuk është e interesuar për lidhjet sepse, siç thotë, ka shumë gjëra që po i kalon në karrierë, ndërkohë që ka zbuluar se nuk ua lejon miqve që t’i “kurdisin” lidhje, veçanërisht takime të “verbra”.

Jennifer është duke promovuar serialin e saj të ri “Morning Show”, në të cilin bashkëpunon me aktoren Reese Witherspoon (43), dhe i cili do të fillojë të shfaqet në shërbimin e ri streaming Apple TV+ në nëntor, shkruan KOHA Ditore. Në bisedën me Sternin, një nga temat e diskutuara ishte "Friends", seria humoristike amerikane, në të cilën një nga rolet kryesore i luajti Jennifer.

Ajo tha se kohët e fundit formacioni i aktorëve të 'Friends' u takua për darkë tek kolegia dhe shoqja Courteney Cox (55).

“Disi rezultoi situata që të gjithë ishim të lirë, kështu që u takuam. Të gjithëve na mungon ajo shoqëri, çdo ditë. Nuk do të isha dikushi pa atë seri”, - tha Aniston.