Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Amazoni ia jep dritën e gjelbër serisë për Jack Reacher

Amazoni më në fund ia ka dhënë dritën e gjelbër serialit për Jack Reacherin, personazhin e krijuar nga autori Lee Child.

Jack Reacher është një ish-oficer në policinë ushtarake i cili udhëton në SHBA dhe heton raste të rrezikshme. Në serinë letrare aktualisht janë 24 tituj, kështu që ka shumë materiale për serinë. Sezoni i parë do të bazohet në romanin The Killing Floor, i pari në serinë e romaneve për Reacherin.

Librat tashmë e kanë pasur ekranizimin e tyre në vitin 2012, kur doli filmi Jack Reacher dhe katër vjet më vonë kur doli filmi Jack Reacher: Never Go Back. Në të dy filmat paraqitet Tom Cruise në rolin titullar, por atë nuk do ta shohim në adaptimin televiziv.

Image

Edhe pse filmat ishin relativisht të suksesshëm, autori Lee Child ia doli t’i rimarrë të drejtat për librat e tij dhe vendosi ta bënte një seri me një aktor tjetër, me dikë që më shumë i ngjante vizionit të tij për personazhin, shkruan KOHA Ditore. Child tha se ai dëshiron që Reacher të ekranizohet nga dikush shumë më i madh dhe më i gjatë se Tom Cruise.

Nick Santora do të jetë showrunner i serialit, ndërsa tani për tani nuk dihet se kush do të shfaqet në rolin titullar. Produksioni i serialit mendohet të fillojë së shpejti, kështu që i presim të gjitha detajet në muajt në vazhdim.