Showbiz

Alden Ehrenreich në “Brave New World”

Alden Ehrenreich së fundmi e ka mishëruar me sukses kontrabandistin më të famshëm hapësinor Han Solo në filmin “Solo: A Star Wars Story”, ndërsa tani do të niset në një aventurë të re në “Brave New World”.

I bazuar në romanin e vitit 1932 të Aldous Huxley, adaptimi tashmë është miratuar për serinë më herët gjatë këtij viti. Romani e përshkruan një shoqëri utopike që e ka arritur paqen dhe stabilitetin duke i ndaluar gjërat që u krijojnë probleme njerëzve si monogamia, paraja, familja...

Image

Ehrenreich do të duhej ta luajë rolin e John the Savage, outsiderit problematik i cili kërcënon ta çrregullojë stabilitetin e shoqërisë utopike të Londrës së Re, shkruan KOHA Ditore.

Ngjarja është e fokusuar në Bernard Marx dhe Lenina Crowne, banorë të Londrës së Re të cilët dëshirojnë ta eksplorojnë botën përtej kufijve të shoqërisë së tyre të rregulluar në mënyrë të përkryer dhe të shkojnë në një udhëtim në mjedise të egra, ku përfshihen në një rebelim intensiv dhe të dhunshëm. Nga kjo i shpëton John the Savage, i cili me ta arratiset në Londrën e Re. Ardhja e tij në Botën e Re shpejt kërcënon ta çrregullojë harmoninë utopike, ndërsa Bernard dhe Lenina përfundojnë në telashe.

Përshtatja televizive është shkruar nga David Wiener, Grant Morrison dhe Brian Taylor, ndërsa regjinë për episodin e parë e bën Owen Harris, regjisor i episodit çmim-fitues “San Junipero” të serisë “Black Mirror”.