Showbiz

Albumi debutues i Lewis Capaldit rikthehet në maje të toplistave

Albumi debutues i kantautorit skocez, Lewis Capaldi, “Divinely Uninspired To A Hellish Extent”, është rikthyer në maje të toplistave muzikore në Britani të Madhe, në përvjetorin e parë të lansimit.

Albumi i këngëtarit gjithashtu arriti ta shënojë javën e dhjetë në pozitën e parë të toplistës së albumeve më të mira, sipas kompanisë “Official Charts”.

Ky sukses i fundit vjen 12 muaj pas lansimit të këtij incizimi të mirëpritur nga publiku, transmeton Koha.

Kënga e 23-vjeçarit Capaldi, “Someone You Loved”, ka arritur t’i kalojë më shumë javë në top dhjetëshen e toplistave muzikore, krahasuar me cilëndo këngë tjetër të një artisti britanik.

Albumi “Divinely Uninspired To A Hellish Extent” është po ashtu një prej 20 albumeve të pakta, që i ka kaluar 52 javë radhazi në top dhjetëshen e toplistës së albumeve më të mira në Britani të Madhe.

Në vendin e dytë renditet albumi i Dua Lipas, “Future Nostalgia”, në vendin e tretë gjendet ai i këngëtarit Harry Styles, “Fine Line”, Drake me “Dark Lane Demo Tapes” renditet në pozitën e katërt dhe në vendin e pestë gjendet reperi Future me albumin e ri, “High Off Life”.