Ylli i njohur i muzikës, Ed Sheeran, e ka publikuar këngën e parë në 18 muajt e fundit.
Me titull “Afterglow”, kënga vjen e shoqëruar me një videoklip ku kantautori britanik, Sheeran, shfaqet duke performuar dhe interpretuar në kitarë.
“Përshëndetje të gjithëve. ‘Afterglow’ është një këngë të cilën e kam shkruar vitin e kaluar, dhe të cilat doja ta lansoja për ju. Nuk është kënga e parë e albumit të ardhshëm, por është thjeshtë një këngë dashurie, andaj shpresoj se edhe ju do ta pëlqeni atë. Shijojeni projektin tim të ri! Gjithashtu ju uroj festa të sigurta dhe të lumtura. Tani është koha t’i kthehem në rolin e babait”, kishte shkruar këngëtari në Instagram, në postimin që e paralajmëronte lansimin e këtij projekti.
Hera e fundit kur Ed Sheeran publikoi muzikë të re ishte në vitin 2019, me lansimin e albumit të mbushur me yje “No.6 Collaborations Project”, pjesë e së cilit ishin emra të njohur të skenës, si Stormzy, Justin Bieber, Camila Cabello, Cardi B dhe të tjerë.
Ylli i hitit “Castle on the Hill” shquhet si një prej muzikantëve më të mëdhenj në botë, por pas ardhjes në jetë të vajzës të cilën e ka me bashkëshorten Cherry Seaborn, Sheeran e bëri të ditur lajmin se po tërhiqet përkohësisht nga muzika, me qëllim që të kohë të mjaftueshme për të kaluar me familjen e tij të dashur.
Lyra Antarctica Seaborn Sheeran është fëmija i parë i çiftit, që kryesisht njihet për ruajtjen e privatësisë së tyre.
Ndërkohë, Ed Sheeran së fundmi ia ka dhuruar 10,000 funte, spitalit në të cilin ishte trajtuar gjyshja e tij në javët e fundit të jetës.
Paratë do të shpenzohen për krijimin e një kopshti në spital, instrumente muzikore që do të përdoren nga pacientët me probleme mendore dhe ata me nevoja të veçanta.