Në javën e parë të hapjes nëpër kinema, filmi “A Quiet Place Part II” e ka thyer rekordin e arkave filmike të Amerikës Veriore, në epokën e pandemisë.
Vazhdimi i dytë i filmit shumë të vlerësuar horror, në të cilin rolin protagonist e luan aktorja britanike, Emily Blunt, debutoi në kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 28 maj, pasi shtyrjes së datave të lansimit disa herë si pasojë e COVID-19. Kurse nëpër kinematë e Britanisë së Madhe, do të fillojë së shfaquri më 3 qershor.
Brenda tri ditëve të para të shfaqjes nëpër kinema, “A Quiet Place Part II” arriti t’i arkëtojë gjithsej 48milionë dollarë, duke e shënuar hapjen më të mirë në Amerikë prej fillimit të pandemisë.
Aktualisht, ky projekt me buxhet të lartë i studios “Paramount Pictures”, i cili vjen me regji të bashkëshortit të aktores Blunt, John Krasinski, po shfaqet nëpër 4 mijë kinema dhe suksesi i tij në arkat filmike, pritet të rritet edhe më shumë në ditët në vazhdim.
Yllii filmit, Emily Blunt, në një intervistë të fundit tregoi se bashkëshorti i saj, i cili e ka shkruar skenarin dhe e ka bërë regjinë e dy filmave të parë, tashmë ka ide të mrekullueshme për filmin e tretë “A Quiet Place”.
Nëntorin e kaluar, studioja filmike “Paramount Pictures” zbuloi se planet për një vazhdim të tretë tashmë kanë filluar, dhe regjisori Jeff Nichols besohet se do të shërbejë në rolin e skenaristit dhe regjisorit të projektit të radhës, i cili sigurisht se do të bazohet në idenë origjinale të John Krasinskit.
“A Quiet Place Part II” vjen i realizuar me një buxhet prej 61 milionë dollarësh, shumë kjo tri herë më e madhe se ajo e filmit të parë, që e kapte shifrën prej 17 milionë dollarësh.