Showbiz

“Aftësi të kufizuar mendore”, prokuroria kundërshton kërkesën e mbrojtjes së Diddyt

Sean "Diddy" combs

Sean "Diddy" combs

Foto: Associated Press

Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kundërshtojnë një nga pretendimet e mundshme të mbrojtjes së Sean “Diddy” Combs, i cili është përballë një gjykimi për akuza të rënda për trafikim seksual, prostitucion dhe krim të organizuar, ka raportuar “USA Today”.

Sipas padisë të dorëzuar më 27 prill në Gjykatën e Distriktit Jugor të New Yorkut, ekipi i avokatëve të Diddyt dëshiron të thërrasë si dëshmitar ekspertin psikiatrin gjyqësor, doktorin Elie Aoun, për të dëshmuar se Combs kishte “aftësi të kufizuar mendore” në kohën kur dyshohet se kanë ndodhur krimet.

Qëllimi i kësaj strategjie supozohet të jetë që të provohet se Combs nuk kishte “qëllimin kriminal” të nevojshëm për të kryer këto vepra, një nga elementët themelorë në çdo rast penal. Megjithatë, prokurorët theksojnë se mbrojtja po e sjell këtë dëshmitar shumë vonë dhe se dëshmia e Aounit nuk përmbush standardet strikte që kërkon ligji federal për raste kur përdoret “gjendja mendore” si mbrojtje.

Prokurorët gjithashtu kanë theksuar se Aoun nuk e ka ekzaminuar personalisht Combsin, por i ka bazuar opinionet e tij vetëm në dokumente dhe dëshmi të redaktuara.

“Dëshmia e tij bazohet në të dhëna jo të plota dhe do të çonte në informacione që juria nuk duhet të dëgjojë në kushte normale”, thuhet në dokumentin e prokurorëve.

Ata kanë shtuar se mbrojtja mund të përpiqet të përdorë këtë dëshmitar “për të nxitur simpati apo admirim nga juria”, një gjë që ligji penal e ndalon qartë.

Gjykata pritet të vendosë për këtë çështje gjatë një seance paraprake që zhvillohet këtë javë, ndërsa përzgjedhja e jurisë për gjyqin ndaj Diddyt nis më 5 maj.

Ndërkohë, më 25 prill, avokatët e Combs dhe prokurorët janë përballur edhe me dëshmitarë të tjerë ekspertë. Psikologia Dawn Hughes, e propozuar nga prokuroria, nuk do të lejohet të flasë për “kontrollin përmes manipulimit”, një formë e abuzimit në marrëdhënie, por do të lejohet të dëshmojë për strategjitë që përdorën viktimat për t’u përballur në këtë marrëdhënie si dhe arsyet pse viktimat qëndrojnë në marrëdhënie abuzive.

Në anën tjetër, mbrojtja e Combsit ka propozuar psikiatrin Alexander Bardey për të kundërshtuar opinionet e Hughesit. Ata pretendojnë se ai “nuk pajtohet me përshkrimin që Dr. Hughes i bën sjelljes së viktimave në rastet e dhunës në marrëdhënie”, thuhet në dokumentet e gjykatës.