Filmi “Oppenheimer” i Christopher Nolan për krijuesin e bombës bërthamore dhe bombardimet atomike në Hiroshima e Nagasaki do të nisë transmetimin në Japoni më 2024.
Distributori i filmit në Japoni, Bitters End, të enjten bëri të ditur se filmi, i cili shqyrton telashet morale të J Robert “Oppenheimer” mbi rolin e tij kyç në sulmin e parë bërthamor në botë më 6 gusht 1945, do të transmetohet në vitin 2024, shkruan The Guardian.
Në një deklaratë të transmetuar në mediat japoneze, kompania deklaroi se e kishte marrë vendimin pas diskutimeve të gjata që morën parasysh reagimin e ashpër që kishte shkaktuar në Japoni pasi filmi nisi të shikohej në mbarë botën.
“Tema e filmit ka një rëndësi të madhe dhe ka kuptim të veçantë për japonezët, kështu që vendosëm ta publikojmë në Japoni pas diskutimeve dhe konsideratave të ndryshme,” tha Bitters End.
“Oppenheimer” u transmetua në Korenë e Jugut në gusht dhe u pëlqye shumë edhe në Kinë dhe tregjet e tjera aziatike, por nuk u caktua një datë për lansimin në Japoni, duke nxitur disa të pyesin nëse kinematë e vendit do ta shfaqnin ndonjëherë.
“Oppenheimer”, me Cillian Murphy si "babai" i bombës bërthamore, u kritikua gjithashtu nga grupet anti-bërthamore për dështimin për të përshkruar tmerrin e vërtetë të shkatërrimit që shkaktuan bombat në Hiroshima dhe Nagasaki ku mbetën të vdekur rreth 200 mijë njerëz.
Shkatërrimi i shkaktuar në dy qytetet – për të cilat shumë në SHBA besojnë se e detyruan Japoninë të dorëzohej disa ditë më vonë – aludohet, por nuk shfaqet në film.
Suksesi komercial i “Oppenheimer” mund të ketë qenë një faktor në vendimin e distributorit japonez për ta transmetuar teksa që nga publikimi i tij në korrik të këtij viti filmi ka fituar mbi 950 milionë dollarë.