Është zbuluar inspirimi prapa rolit të këngëtares Billie Eilish, në serialin e shkruar nga Donald Glover, “Swarm”, dhe prodhuar nga platforma Amazon Prime Video.
Gjatë një interviste për “The Hollywood Reporter”, producentja e këtij projekti, Janine Nabers, zbuloi se roli debutues i Eilishit si aktore, është inspiruar nga kulti famëkeq në Hollywood, “NXIVM”, dhe lideri i tij Keith Raniere.
Në serialin “Swarm”, Billie e portretizon Evan, drejtoresha e re ekzekutive e një grupi për fuqizimin e femrave, që më vonë zbulohet se është një kult.
“Në botë ekzistonte një kult që ishte shumë njohur. Dhe ky është lloji i elementit të krimit të vërtetë në atë episod. Unë besoj se kur njerëzit mendojnë për atë se si duket bota e artistëve ose personave të famshëm, ekziston kjo ide e të menduarit për kultin e Taylor Swiftit apo dikujt tjetër. Ajo që na interesonte vërtet ishte thjesht të shihnim dikë që adhuron diçka të caktuar, dhe ta eksploronim idenë e asaj se çfarë është kulti i mendjes”.
Me një ngjarje që zë vend ndërmjet viteve 2016 dhe 2018, seriali e sjell historinë e protagonistes Dre, e portretizuar nga aktorja Dominique Fishback, e cila është adhuruese e ikonës së imagjinuar të muzikës, Ni’Jah, por dashuria e saj për këngëtarin e preferuar i kalon kufijtë kur shndërrohet nga një vajzë e obsesionuar në vrasëse.
“Swarm” tashmë ka filluar transmetimin në platformën digjitale Amazon Prime Video.