Ylli 52-vjeçar i muzikës dhe filmit, Queen Latifah, u ka kërkuar repereve ta lënë anash “egon” e tyre dhe të punojnë më shpesh në projekte të përbashkëta.
Ikona e repit, e cila e publikoi albumin debutues, “All Hail the Queen’’, në vitin 1989, tha : “Unë do t’iu thosha atyre se tani është koha e duhur që të bëni çfarë të doni me karrierën tuaj, sepse në kohën tonë, të tjerët i merrnin këto vendime për ne. Shumë grupe atëkohë e përfshinin nga një rep-artiste në grup dhe nuk na lejonin të punonim të gjitha me njëra-tjetrën. Por, disa prej artisteve që ishim më të zgjuara, natyrisht që e shfrytëzonim çdo mundësi të mundshme për të marrë pjesë në projektet e njëra-tjetrës, duke krijuar kështu hite të jashtëzakonshme të cilat e lartësonin këtë zhanër muzikor. Prandaj, nëse e keni fuqinë dhe dëshironi të bashkëpunoni me dikë tjetër, bëjeni këtë pa hezituar. Pengesa më e madhe gjithmonë ka qenë egoja personale, dhe në të shumtën e rasteve nuk bëhet fjalë për egon tonë, por të personave të tjerë që kanë konkurrencë me njëri-tjetrin, dhe ne përfundojmë duke i bartur pasojat e veprimeve të tyre”.
Krijuesja e hitit “U.N.I.T.Y.”, po ashtu, u bëri thirrje yjeve të rinj që ta marrin kontrollin e karrierës së tyre.
Përveç që e ndoqi ceremoninë e sivjetme “Grammy” - që e shënoi edicionin e 65-të të organizimit – si mysafire e ftuar, Queen Latifah, po ashtu, ishte në mesin e yjeve që interpretuan në skenë si pjesë e një performance shumë speciale që kishte për qëllim të nderojë 50-vjetorin e muzikës hip hop.
Ylli i njohur amerikan performoi në skenë krahas legjendave të muzikës si, Missy Elliot, Run-DMC, Busta Rhymes, Lil Wayne dhe të tjerë.