Showbiz

Rihanna e fitoi nominimin e parë “Oscar”

Rihanna po e dominon këtë sezon të shpërblimeve në Hollywood.

Pak javë pasi e fitoi nominimin e parë “Globi i Artë” për këngën më të mirë në një film, superylli i muzikës R&B po e feston një triumf tjetër.

Të martën (27 janar) u bë publik lajmi se Rihanna është nominuar për çmim “Oscar” në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale, krahas bashkëpunëtorëve të saj Tems, Ludëig Göransson dhe regjisori Ryan Coogler. Ata po vlerësohen për këngën “Lift Me Up”, e cila është krijuar enkas dhe shërben si kolonë zanore e filmit, “Black Panther: Wakanda Forever”.

Në këtë kategori, Riri garon krahas artistëve, Diane Warren dhe kënga e saj “Applause” nga filmi “Tell It Like a Woman”, M.M. Keeravaani dhe Chandrabose që konkurrojnë me këngën “Naatu Naatu” nga filmi “RRR”, Ryan Lott, David Byrne dhe Mitski me këngën “This Is a Life” nga filmi “Everything, Everywhere All At Once” dhe Lady Gaga, e cila është nominuar për këngën “Hold My Hand” nga filmi “Top Gun: Maverick”.

“Lift Me Up” është kënga e parë e këngëtares së shpërblyer me “Grammy”, në gjashtë vjetët e fundit. Ajo ka për qëllim ta nderojë jetën e aktorit të ndjerë, Chadwick Boseman, i cili e portretizoi kryepersonazhin King T’Challa në filmin e parë “Black Panther”. Boseman vdiq në vitin 2020 nga kanceri në zorrë. Ai ishte vetëm 43-vjeçar.

Rihanna nuk është e famshmja e vetme që e ka marrë nominimin e parë për “Oscar. Aktoret Ana de Armas, Jamie Lee Curtis, Michelle Yeoh dhe Stephanie Hsu, po ashtu janë nominuar për herë të parë në karrierën e tyre, njësoj sikurse aktorët Austin Butler, Ke Huy Quan, Paul Mescal, Brendan Fraser, Colin Farrell dhe të tjerë.

Më 12 shkurt, themeluesja e markës së modës “Savage X Fenty” e shënon rikthimin në skenën muzikore, me performacën në finale e kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl”.

Ndarja e çmimeve “Oscar” do të bëhet më 12 mars në teatrin “Dolby” në Hollywood. Pas paraqitjes shumë magjepsëse të Rihannas në ceremoninë “Globi i Artë”, së bashku me të dashurin A$AP Rocky, fansat mezi presin të shohin se çfarë do të veshë këngëtarja mbi qilimin e kuq glamuroz.