Showbiz

Hilary Swank po e shijon shtatzëninë në moshën 48-vjeçare

Aktorja 48-vjeçare e shpërblyer me “Oscar”, Hilary Swank, është në pritje të binjakëve me bashkëshortin, Philip Schneider. Ajo pohon se është duke e shijuar shtatzëninë e saj të parë dhe deri më tani e gjithë kjo eksperiencë i është dukur magjike.

Duke folur për gazetarët mbi qilimin e kuq të ceremonisë “Globi i Artë”, aktorja tha: “Ka qenë një përvojë magjike dhe e mrekullueshme. Më pëlqen shumë të jem shtatzënë. Po ndihem e bekuar dhe e lumtur, më e lumtur se kurrë”.

Swank tutje tregoi se i vjen mirë që shumë grave të moshës së saj u ka dhënë shpresë për të mbetur shtatzënë, teksa këmbënguli se gjithçka është e mundur nëse njerëzit janë të gatshëm të besojnë në veten e tyre. Po ashtu e bëri të ditur se tashmë ka filluar t’i bëjë përgatitjet rreth ardhjes në jetë të fëmijëve, në mars të këtij viti.

“Është kënaqësi të shohësh gra të ndryshme në të dyzetat e tyre, të cilat më thonë se më u kam dhënë shpresë. Sepse kur të fillosh të besosh se çdo gjë është e mundur, atëherë mendësia fillon të ndryshojë. Më kuptoni çfarë dua të them? Në të vërtetë, qielli është limiti nëse e lejon veten të besosh në të gjitha sferat. Tani është koha që të bëhem gati për t’i mirëpritur në jetë foshnjat e mia. I kam vetëm është tre muaj kohë”, deklaroi aktorja.

Ylli i serialit “Alaska Daily” ishte nominuar në kategorinë “Aktorja më e mirë në dramë”, për portretizimin e gazetares hulumtuese, Eileen Fitzgerald, në projektin e kanalit ABC. Megjithëse nuk triumfoi dhe çmimin e rrëmbeu aktorja, Zendaya, Swank tha se ishte një nder të ndriçonin dritë mbi gratë indigjene të zhdukura dhe të vrara, të cilat përfaqësohen në serial.