Showbiz

Vritet reperi i grupit “Migos”, Takeoff

Reperi i grupit “Migos”, Takeoff, ka vdekur në mëngjesin e së martës si pasojë e të shtënave me armë zjarri jashtë një ndërtese të ‘bowlingut’ në Houston. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësit e artistit.

Takeoff, i cili ishte pjesë e grupit mjaft të suksesshëm muzikor “Migos” krahas dy anëtarëve tjerë, Quavo dhe Offset, ishte vetëm 28-vjeçar, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Image

Policia iu përgjigj thirrjes emergjente për të shtëna me armë zjarri, pak pas orës 2:30 të mëngjesit. Me të arritur në vendin e ngjarjes ku ishin mbledhur dhjetëra njerëz, oficerët e zbuluan një person të vdekur. Rojet e sigurisë që ishin në afërsi të kësaj zone i kishin dëgjuar të shtënat, por nuk kanë arritur ta shohin personin përgjegjës, deklaroi një zëdhënës i policisë.

Bëhet e ditur se edhe dy persona të tjerë janë plagosur gjatë këtij incidenti dhe janë dërguar në spital me automjete private.

“Migos” shquhej si një nga grupet më me ndikim të brezit të tyre, duke e krijuar një stil të veçantë të repit. Bendi, i cili u nda në fillim të këtij viti, i realizoi disa hite ndërkombëtare duke përfshirë këngët, “Bad and Boujee”, “Versace” dhe “Walk It Talk It”.

Para 19 orëve u publikua kënga e re e reperit tw ndjerë e sjell në bashkëpunim me anëtarin tjetër të grupit “Migos”, Quavo, me titull “Messy”. Pjesëtar i grupit ishte edhe reperi Offset, njëherësh bashkëshorti i rep-artistes së famshme botërore, Cardi B.