Dyshja e njohur e muzikës rep dhe hip-hop, Snoop Dogg dhe Dr. Dre, po bashkëpunojnë në realizimin e albumit të ri, “Missionary”, i cili vjen 30 vjet pas incizimit “Doggystyle”.
Pasi ikonat e hip-hopit i ngacmuan fansat duke e paralajmëruar bashkëpunimin e parë muzikor në 3 dekadat e fundit, reperi i hitit “Drop It Like It’s Hot”, Snoop Dogg, e konfirmoi titullin e projektit të tyre të ardhshëm që është ende në fazat e para të realizimit.
“Unë dhe Dr. Dre kemi dy muaj që jemi duke punuar rreth albumit të ri. Albumi i parë që e kemi realizuar së bashku është ‘Doggystyle’”, deklaroi Snoop për podcastin “KnoW Mercy”.
Megjithëse nuk ndau shumë hollësi rreth projektit, bëhet e ditur se albumi i ri i dyshes pritet të lansohet për publikun në nëntor të këtij viti.
Snoop dhe Dre u ribashkuan në skenë në fillim të këtij viti, gjatë performancës epike në finalen e kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl”, krahas yjeve tjerë: Eminem, Mary J. Blige dhe Kendrick Lamar.
Snoop Dogg u bë i famshëm në vitin 1992 kur mori pjesë në këngën debutuese të Dr. Dre, “Deep Cover”. Në fillim të këtij viti, reperi, emri i vërtetë i së cilit është Calvin Broadus Jr, e bleu studion incizuese e cila ia ndërtoi karrierën, “Death Row Records”.
“Jam i emocionuar dhe e vlerësoj mundësinë për ta blerë kompaninë ikonike dhe të rëndësishme kulturore, ‘Death Row Records’, e cila ka vlerë të pashfrytëzuar të së ardhmes. Ndihem mirë të kem pronësinë e studios ku kam qenë pjesë në fillimet e karrierës sime dhe isha një nga anëtarët themelues. Ky është një moment jashtëzakonisht domethënës për mua”, tha megaylli 50-vjeçar.
Kompania “Death Row”, që po ashtu ishte shtëpia e yjeve të tillë si, Tupac Shakur dhe Nate Dogg, e shpalli falimentimin në vitin 2006 dhe u shit më 2012-n, pasi themeluesi Suge Knight u përball me probleme serioze financiare dhe ligjore. Ish-producenti muzikor aktualisht është duke e kryer dënimin me burg prej 28-vjetësh, kjo pasi në vitin 2015 u shpall fajtor për shkeljen fatale me veturë të një personi.
57-vjeçari Dr. Dre po ashtu ka kontribuar në lansimin e karrierës së reperit, Eminem, me të cilin nënshkroi kontratë bashkëpunimi në vitin 1998.