Showbiz

“DC League of Super-Pets” shënon hapje të mirë në arkat filmike

Filmi i animuar “DC League of Super-Pets” po i kryeson arkat filmike të Amerikës Veriore këtë javë, me arkëtimin e 23 milionë dollarëve në tri ditët e para të hapjes. Kështu, ai e mundi projektin e ri të aktorit të shndërruar në regjisor Jordan Peele, “Nope”, duke u pozicionuar në vendin e parë të kësaj liste.

Sipas portali “Variety”, filmi i sapolansuar po ashtu ka arritur t’i fitojë 18.4 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë ndërkombëtare, duke e çuar shifrën e arkëtuar deri më tani në 41.4 milionë dollarë.

Projekti i animuar i realizuar nga studioja filmike “Warner Bros. Pictures”, e rrëfen historinë dhe aventurat e heroit Superman dhe qenit të tij Krypto. Ata janë një dyshe e pandashme që i posedojnë të njëjtat superfuqi dhe së bashku e luftojnë krimin në Metropolis. Por, kur Supermani dhe pjesa tjetër e superheronjëve nga “Justice League” kidnapohen, Krypto duhet ta bind një grup të kafshëve nga një strehimore, që t’i përvetësojnë superfuqitë e tyre të reja dhe ta ndihmojnë atë t’i shpëtojë superheronjtë e botës. Zërat për personazhet e këtij filmi të animuar i kanë huazuar yjet: Dwayne Johnson, John Krasinski, Kevin Hart, Kate McKinnon, Vanessa Bayer, Natasha Lyonne, Diego Luna, Marc Maron, Thomas Middleditch, Ben Schëartz dhe Keanu Reeves.

Në vendin e dytë të arkave filmike të Amerikës Veriore pozicionohet trileri, “Nope”. Në javën e dytë të shfaqjes, ky projekt pësoi rënie të shikueshmërisë nëpër kinema duke i fituar edhe 18.5 milionë dollarë ekstra, të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani prej 80.5 milionë dollarësh. Filmi i cili në rolet kryesore i sjell aktorët, Daniel Kaluuya dhe Kiki Palmer, ende nuk është lansuar në tregun ndërkombëtarë ku pritet të shënojë suksese të mira.

“Thor: Love and Thunder” renditet i treti në këtë listë falë 13.1 milionë dollarëve të arkëtuara ekstra. Nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore, në javën e tij të katërt të lansimit, filmi i i bazuar në universin kinematik “Marvel” i ka fituar gjithsej 662 milionë dollarë.

Në pozitën e katërt këtë javë gjendet filmi i animuar, “Minions: The Rise of Gru”, me 10.8 milionë dollarë të fituara. Kjo është java e tij e pestë e lansimit, gjatë së cilës kohë i ka fituar 320 milionë dollarë nga shitja e biletave në Amerikën Veriore, dhe 710 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë botërore.

Top-pesëshja plotësohet me filmin e yllit Tom Cruise, “Top Gun: Maverick”. Ky projekt i fitoi edhe 8.2 milionë dollarë të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani, e që e kap shifrën prej 1.3 miliardë dollarësh.