Për një javë të vetme, “Scream” e rrëzoi nga pozita e parë filmin “Spider-Man: No Way Home”.
Por, suksesi nuk i zgjati shumë pasi gjatë fundjavës që e lamë pas, “Spider-Man: No Way Home” u rikthye sërish në maje të arkave filmike dhe po vazhdon ende të thyej rekorde të kinematografisë.
Brenda tri ditëve të shfaqjes, ky projekt i arkëtoi edhe 14 milionë dollarë ekstra të cilat i shtohen shumës totale të të hollave të arkëtuara nga shfaqja në Amerikës Veriore, në 721 milionë dollarë.
Kështu e largoi filmin “Black Panther” nga pozita e katërt e filmave më fitimprurës dhe renditet pas projekteve, “Avatar”, “Avengers: Endgame” dhe “Star Wars: The Force Awakens”. Globalisht, “Spide-Man: No Way Home” i ka arkëtuar 1.7 miliardë dollarë.
Filmi e rrëfen historinë e të riut Peter Parker i portretizuar në film nga Tom Holland, i cili i kërkon superheroit Dr. Strange që ta ndihmojë ta fshehë identitetin e Spider-Manit nga publiku i gjerë. Krahas Hollandit në këtë vazhdim të tretë të realizuar nga regjisori, Jon Watts, luajnë edhe yjet: Zendaya, Benedict Cumberbatch, Jacob Batalon, Jon Favreau, Marisa Tomei, J. B. Smoove, Benedict Wong, Alfred Molina dhe Jamie Foxx.
Ndërkaq, projekti i fundit i studios “Paramount Pictures” me titull, “Scream”, debutoi me një sukses të mirë duke u bërë kampion i javës së kaluar falë 30.6 milionë dollarëve të arkëtuara nga shitja e biletave nëpër kinema. Kurse gjatë fundjavës që e lamë pas, i fitoi edhe 12.4 milionë dollarë ekstra të cilat i shtohen shumës totale prej 51.3 milionë dollarë. Kështu, ai pozicionohet në vendin e dytë të arkave filmike.
“Scream” që është vazhdimi i pestë në serinë e filmave të famshëm horror, i cili njëkohësisht e prezanton një kastë të re të aktorëve, po ashtu i ka arkëtuar edhe 18 milionë dollarë ekstra nga shfaqja nëpër kinematë ndërkombëtare ndërkaq realizimi i tij në total ka kushtuar rreth 24 milionë dollarë.
Ky film, po ashtu ishte i pari që nuk vjen me regji të Wes Cravenit, i cili vdiq në vitin 2015. Përveç aktorëve të rinj të përfshirë në të, “Scream” i rikthen në ekran të madh edhe disa prej yjeve të filmave të parë, si Neve Campbell, Courteney Cox dhe David Arquette.