Filmi “Black Adam” e shënoi një hapje të mirë në arkat filmike të Amerikës Veriore. Në tri ditët e para të lansimit nëpër kinema, ky projekt i studios “Warner Bros” i arkëtoi gjithsej 67 milionë dollarë.
Kështu u bë filmi i parë i Dwayne Johnsonit, ku e ka rolin protagonist, që e shënon një sukses të tillë dhe njëkohësisht e shënoi debutimin e personazhit të njohur të librave komik “D.C. Comics”, të cilin ai kaloi një dekadë për ta sjellë në ekranin e madh. Ai e ekranizon rrugëtimin e një burri të cilit i dhurohen superfuqitë e perëndive të Egjiptit, teksa shpëton nga një varr ku kishte qenë i burgos për 5000 vjet.
Nëpër kinematë ndërkombëtare, “Black Adam”, i arkëtoi edhe 73 milionë ekstra, duke e quar shumën totale të arkëtuar deri më tani në 140 milionë dollarë, shkruan agjencia e lajmeve “AP”.
Megjithëkëtë, debutimi prej 67 milion dollarësh i filmit, është më i vogël seç është parashikuar nga drejtuesit e studios “Warner Bros”, marrë parasysh suksesin e projekteve të kaluara me superheronjtë e universit kinematik “DC”, “Batman”, “Wonder Woman” dhe “Superman”, ani pse e kishte vëmendjen e madhe të publikut për faktin se është hera e parë që Johnson e portretizon një superhero.
Në anën tjetër, “Black Adam”, e shënoi debutimin më të madh të fundjavës, nga lansimi i “Thor: Love and Thunder” në muajin korrik, film ky i cili i pati arkëtuar gjithsej 143 milion dollarë në tri ditët e para të shfaqjes.
Edhe
“Black Adam” gati për t’u lansuar nëpër kinematë botërore
Në vendin e dytë të arkave filmike këtë javë debutoi komedia romantike e yjeve të Hollywoodit, Julia Roberts dhe George Clooney. Filmi me titull “Ticket to Paradise” i arkëtoi 16.3 milionë dollarë, që konsiderohet një shumë e mirë për filmat e këtij zhanri.
Ndërkohë, filmi “Smile” vazhdon t’i sfidojë rëniet tipike për projektet e zhanrit horror. Me 8.4 milionë dollarë të fituara në javën e katërt të publikimit, “Smile” u pozicionua në vendin e tretë të arkave filmike. Deri më tani, horrori psikologjik i ka arkëtuar 84.3 milionë dollarë.