Është anuluar koncerti i yllit britanik të muzikës, Harry Styles, në Kopenhagë të Danimarkës.
Kjo për shkak të ngjarjes tragjike që ndodhi në një qendër tregtare në afërsi të lokacionit ku do të mbahej koncerti, me ç’rast një burrë shtiu me armë zjarri brenda kësaj qendre duke i vrarë tre persona dhe duke i lënduar tre të tjerë.
Sulmuesi 22-vjeçar me shtetësi daneze u arrestua pas incidentit në “Field’s”, një prej qendrave tregtare më të mëdha në Skandinavi. Kështu bëri të ditur inspektori i policisë së Kopenhagës, Søren Thomassen, në një prononcim për agjencinë e lajmeve “AP”.
Sipas policisë, nga ky sulm mbeti i vdekur një burrë 40-vjeçar dhe dy persona të rinj. Nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth incidentit.
Styles, i cili ishte planifikuar të performojë të dielën (3 korrik) në arenën “Royal”, si pjesë e turneut të tij “Love On Tour”, e publikoi një deklaratë prekëse në rrjetin social Twitter ku shkruhej: “Zemra më është thyer bashkë me banorët e Kopenhagës. E adhuroj këtë qytet. Njerëzit atje janë shumë të ngrohtë dhe të mbushur me dashuri. Jam i pikëlluar jashtë mase për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që po vuajnë si pasojë e kësaj ngjarjeje. Më vjen shumë keq që nuk patëm rastin të takohemi në koncert, por ju lutem shumë që të kujdeseni për njëri-tjetrin”.
Harry Styles pritet që ta vazhdojë turneun muzikor me performancën e radhës në Paris.
I’m heartbroken along with the people of Copenhagen. I adore this city. The people are so warm and full of love.
— Harry Styles. (@Harry_Styles) July 3, 2022
I’m devastated for the victims, their families, and everyone hurting.
I’m sorry we couldn’t be together. Please look after each other. H