Ylli i sportit dhe muzikës, Cody Simpson, më në fund ka folur për arsyen e ndarjes nga këngëtarja e famshme amerikane, Miley Cyrus. Ai thotë se e kishte marrë këtë vendim të vështirë për shkak se ka dashur të fokusohet në trajnimet e tij si notarë, raportoi portali “Female”.
25-vjeçari i dha fund romancës me këngëtaren e hitit “Malibu” në gusht të vitit 2020, pas pothuajse një viti së bashku. Kjo ngase e dinte se duhet të rikthehet në Australi për t’u fokusuar në ambiciet e tij për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike. Kurse, Cyrus e kishte të pamundur të largohet nga Shtetet e Bashkuara për shkak të angazhimeve në muzikë.
Gjatë një interviste për emisionin “The Kyle and Jackie O Show”, Simpson tha: “Ishte një vendim i përbashkët marrë parasysh se e dinim që jetët tona po shkonin në drejtime të kundërta. Unë sapo kisha filluar trajnimet e notit, prandaj jeta ime po ndryshonte plotësisht dhe e dija se do të më duhej të kthehesha në Australi për t’u trajnuar në formën e duhur dhe profesionale, derisa ajo e kishte filluar punën rreth albumit të ri dhe po bëhej gati për një turne muzikor”.

Por, Cody me këmbëngulje thotë se nuk ka hatërmbetje mes tyre.
“Në ishim në faza të ndryshme të jetës. E patëm një vit të mrekullueshëm, jetuam bashkë gjatë periudhës së izolimit si pasojë e pandemisë. Por, gjithmonë ishim të vetëdijshëm se gjërat do të vinin në këtë pikë një ditë”.
Pas ndarjes së çiftit, ylli i hitit “Wrecking Ball” deklaroi se ajo dhe Simpson do të vazhdojnë të mbeteshin miq të mirë, pasi të tillë ishin për shumë kohë para se ta shndërronin raportin mes tyre në lidhje romantike.
Cyrus aktualisht është në një lidhje të re dashurie me muzikantin, Maxx Morando.
