Rep-artistja e njohur amerikane, Cardi B, po e vazhdon largimin nga mediat sociale, duke e mbyllur edhe llogarinë e saj në Instagram.
Gjatë ceremonisë “Grammy”, e cila u mbajt të dielën (3 prill), reperja e çaktivizoi llogarinë e saj në Twitter dhe tani, as profili i saj në Instagram nuk është më aktiv, raportoi të martën revista “Billboard”.
Cardi, e cila në vitin 2019 e fitoi çmimin “Grammy” në kategorinë “Albumi më i mirë rep”, nuk dha ndonjë shpjegim për largimin e saj nga mediat sociale. Por, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve muzikore, ajo pati shkëmbim të ashpër me një numër ndjekësish të saj në Twitter, të cilët ishin të zhgënjyer që idhulli i tyre zgjodhi të mos merrte pjesë në këtë ngjarje, pavarësisht se u nominua për performancën më të mirë rep për hitin e vitit 2021 “Up”.
“Unë nuk do të marr pjesë në një ceremoni nëse nuk kam këngë të re për ta performuar, ose pa u lansuar albumi im. Por, do të shihemi vitin e ardhshëm”, shkroi reperja në mesazhin e parë të shkëmbyer me fansat, të cilëve ua bëri me dije se asnjëherë nuk kishte deklaruar se do të jetë e pranishme në Las Vegas, ku sivjet u zhvillua ceremonia “Grammy”.
Sidoqoftë, Cardi u mërzit gjithnjë e më shumë pasi fansat refuzuan ta pranonin arsyetimin e saj, duke deklaruar përfundimisht: “Zot i madh, i urrej këta adhurues budallenj. Mendoni se duhej t’i tërhiqja pas vetes fëmijët e mi, vetëm pse ju keni menduar se do të shkoja në ‘Grammy’. Mos u kam thënë se do ta bëjë një gjë të tillë? Thjeshtë keni kërkesa të çmendura. Nuk mundem më. Më duhet ta mbroj veten. Kam disa ditë që postoj në Instagram video nga lokacioni ku gjendem, që është shtëpia ime në New York”.
Faqja zyrtare e rep artistes së famshme në Facebook, vazhdon të jetë aktive.