“Morbius”, filmi i ri i studios “Sony Pictures” që vjen i bazuar në librat komik “Marvel”, u shoqërua me kritika të përziera me të debutuar nëpër kinematë e Amerikës Veriore, por megjithëkëtë arriti t’i arkëtojë 39 milionë dollarë nga shitja e biletave, në tri ditët e para të shfaqjes.
Kjo mjaftoi që ta siguruar pozitën e parë në arkat filmike, ani pse ishte një debutim relativisht i ulët për një film të bazuar në Universin Kinematik Marvel, raportoi të martën agjencia e lajmeve AP.
“Venom” dhe “Venom: Let There Be Carnage”, filmat e kaluar të kësaj natyre të realizuar nga studio “Sony”, debutuan nëpër kinema me arkëtimin e 70 dhe 90 milionë dollarëve.
Lansimi i “Morbius” u shoqërua edhe me kritika relativisht të dobëta, në uebfaqet zyrtare për vlerësimin e filmave nga kritikët.
Ky projekt fokusohet në personazhin e keq të inspiruar nga filmat “Spider-Man”. Rolin kryesor e luan ylli i shpërblyer me “Oscar”, Jared Leto. Ai e portretizon një biokimist, i cili provon ta shërojë veten nga një sëmundje e rrallë e gjakut, dhe shndërrohet në diçka të errët dhe të frikshme. Matt Smith, Adria Arjona, Jared Harris, Al Madrigal, dhe Tyrese Gibson, gjithashtu luajnë në këtë film regjinë e së cilit e ka bërë, Daniel Espinosa.
Filmi, lansimi i së cilit u shty disa herë si pasojë e pandemisë, vjen i realizuar me një buxhet modest prej 75 milionë dollarëve. Në tregun ndërkombëtarë, “Morbius” i ka arkëtuar 44.9 milionë dollarë gjatë fundjavës që e lamë pas.
Sërish, do të jetë e vështirë për të që t’i afrohet suksesit të filmave të fundit me superheronj. Dy hitet e kaluara të arkave filmike ishin, “Spider-Man: No Way Home” i cili i arkëtoi 1.9 miliardë dollarë anembanë botës, dhe “Venom 2” me 502 milionë dollarë të fituara globalisht.